Kurti për kandidaturën e Çekut: Patriot, intelektual dhe njeriu që i duhet kryeqytetit

Lëvizja VETËVENDOSJE! ka zyrtarizuar kandidaturën e Hajrulla Çekut për të parin e Prishtinës në zgjedhjet komunale që pritet të mbahen më 12 tetor. Vendimi është marrë unanimisht nga kryesia e qendrës së kësaj lëvizjeje në kryeqytet.

Kandidatura e Çekut u shpall nga vetë Kryeministri në detyrë dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, i cili e vlerësoi atë si një aktivist të devotshëm, intelektual të shquar dhe njeri me thellësi kulturore e patriotike.

“Hajrulla Çeku është çfarë i duhet Prishtinës për të qeverisur mirë, për t’i dalë ballë përgjegjësisë në çdo fushë dhe për ta bërë kryeqytetin vend ku njerëzit jetojnë mirë dhe banojnë dinjitetshëm,” theksoi Kurti.

Ai kujtoi se gjatë mandatit si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Çeku ka realizuar projekte të rëndësishme që kanë përfituar edhe qyteti i Prishtinës. “Pas 12 tetorit, si kandidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe fitues i zgjedhjeve, do të mund të bëjë edhe më shumë për kryeqytetin,” shtoi Kurti.

Çeku pritet të garojë në një fushatë të ashpër, në një garë që konsiderohet vendimtare për të ardhmen politike të VV-së në nivel lokal. Ai vjen me përvojë menaxheriale dhe institucionale duke synuar të fitojë besimin e qytetarëve për një mandat transformues në krye të Komunës së Prishtinës. /Kosova.info/


Go to TOP