Kosova zyrtarisht pjesë e GS1: Barkodet e produkteve kosovare tashmë të njohura globalisht

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar me krenari se që nga data 22 maj 2025, Kosova është bërë zyrtarisht anëtare e GS1, organizatës ndërkombëtare për standardizimin e barkodeve me seli në Bruksel.

Ky zhvillim historik zgjidh përfundimisht çështjen shumëvjeçare të mosnjohjes së barkodeve të Kosovës në tregjet ndërkombëtare. Nga tani, produktet dhe shërbimet e bizneseve kosovare do të pajisen me barkode të standardizuara dhe të njohura globalisht duke u dhënë atyre një identitet të pranueshëm ndërkombëtarisht dhe një vlerë të shtuar në tregjet e jashtme.

Ky sukses i rëndësishëm është arritur falë angazhimit të pandalshëm të ekipit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me stafin e GS1.

“Së shpejti do të ofrojmë udhëzime të detajuara për bizneset rreth hapave që duhet ndjekur për zbatimin e barkodeve të reja GS1 Kosovë,” thuhet në njoftim.

Oda Ekonomike u shpreh mirënjohëse për të gjithë kontribuuesit dhe përgëzoi sipërmarrësit kosovarë për këtë arritje që pritet të hapë rrugë të reja për eksportet dhe integrimin ekonomik të Kosovës në tregjet botërore. /Kosova.info/


Go to TOP