Jeta brenda burgut në Gjilan, i cili për 10 vite iu lëshua me qira Danimarkës

Qendra e paraburgimit që gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, pritet të jetë vendi ku do të vendosen 300 të burgosur nga Danimarka – së paku për dhjetë vjetët e ardhshëm.

Te ky objekt i ndërtuar në vitin 2017 momentalisht po qëndrojnë mbi 200 persona të paraburgosur nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Mirëpo Kosova dhe Danimarka nënshkruan të hënën një letër-pëlqim, sipas të cilit, këto 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.

Për këtë huazim, Kosova pritet të përfitojë 210 milionë euro gjatë dekadës së ardhshme.

Kosto e ndërtimit të këtij burgu ka qenë 2 milionë e 12 mijë euro.

Në këtë qendër bashkë me gardianët dhe stafin tjetër të burgut punojnë rreth 110 persona.

Ata përcjellin çdo lëvizje që bëjnë të burgosurit gjatë 24 orëve.

Monitorimi gjatë tërë kohës bëhet edhe me kamera të vëzhgimit.

Aktualisht për këta të burgosur në dispozicion është vetëm një fushë e sportit, derisa në çdo dhomë të burgosurit kanë televizor.

Të paraburgosurit ushqehen tri herë në ditë derisa një herë në javë mund të flasin në telefon deri në 15 minuta.

Këto gjëra këta të burgosur do t’i bëjnë deri në votimin në parlament të kësaj marrëveshjeje. Asaj i duhen 2/3 e votave të Kuvendit të Kosovës për të kaluar.

Go to TOP