“Jerusalem-Jerusalem…!”

Shkruan: Pal SHTUFI

I kalova tri ditë mbresëlënëse në Jerusalem, për t’i ndarë pesë të tjera në pjesën tjetër të Tokës së Premtuar. Vetëm pasi kaluan tri ditë, e kuptova sa pak ishin ato për një qytet kaq të vjetër, i cili mbart kaq shumë histori, arkeologji, dhembje dhe krenari. Ndërsa tekstet e lashta egjiptiane e përmendin Jerusalemin si “Urusalim” që para 3000 vjetësh, dëshmitë arkeologjike tregojnë se ai ka një histori mbi pesë mijë vjet të vjetër.

Qyteti është ndërtuar në periudha të ndryshme dhe nga sundimtarë të ndryshëm. Ka kisha dhe kështjella me nga dy palë mure e shtylla, të cilat dëshmojnë për rindërtime të njëpasnjëshme. Por të gjitha kanë një emërues të përbashkët: përkushtimin e madh shpirtëror e fizik në këtë pjesë të botës, që nga koha e Mbretit David e deri më sot.

Sot, Jerusalemi i vjetër, edhe pse i ndarë në katër zona – hebraike, myslimane, të krishterë dhe armene – është i pastër dhe dallohet për disiplinën e fortë në mirëmbajtje. Këtu, zbatimi i ligjit është shumë i theksuar, jo vetëm në Jerusalem, por në të gjithë Izraelin. Sa për informatë, vetëm në Izrael pashë njerëz që i frikësoheshin ligjit më shumë se në Zvicër. I frikësoheshin të gjithë, pa dallim etnie apo feje. Demokracia izraelite është avangarde, por në të njëjtën kohë, e rreptë në respektimin e ligjit.

Edhe pse gjendja e luftës është një realitet i vazhdueshëm, shteti izraelit ka siguruar liri dhe barazi për të gjitha fetë dhe etnitë, si në Jerusalem ashtu edhe në mbarë vendin. Për shembull, nga 26 shkurti e deri më sot kanë ndodhur dy sulme terroriste të kryera nga arabë vendas: njëri me makinë në një turmë njerëzish në Tel Aviv dhe tjetri me thikë në Haifa. Po e përmend këtë për të treguar se, pavarësisht këtyre sulmeve, jeta e qytetarëve arabë dhe izraelitë vazhdon normalisht. Me terroristët merren institucionet e shtetit.

Qyteti i vjetër ruan disa nga thesaret më të rëndësishme fetare, kulturore dhe historike të njerëzimit. Nuk ka rëndësi se cilit besimi ose mosbesimi i përket dikush, ajo që dokumenton Jerusalemi është histori dhe një thesar i madh për njerëzimin.

Jerusalemi ka pasur dhe vazhdon të ketë vend dhe shpirt për të gjithë, qofshin ata fetarë apo jo. Prandaj, izraelitët nuk kërkojnë asgjë më shumë sesa pranimin e ndërsjellë të religjioneve dhe bashkëjetesën në harmoni të plotë.


Go to TOP