Javë me mot të paqëndrueshëm në Kosovë, temperaturat zbresin deri në 3 gradë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se java e ardhshme në Kosovë do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm, me alternim të periudhave me diell dhe vranësira.
Sipas parashikimit, reshje lokale shiu me intensitet të dobët deri mesatar priten kryesisht të martën, të mërkurën dhe vende-vende të premten. Në disa zona, reshjet mund të shoqërohen edhe me shkarkime elektrike.
Temperaturat do të pësojnë rënie graduale në mesjavë, veçanërisht ato minimale, të cilat në disa vise mund të zbresin deri në 3 gradë Celsius. Maksimalet gjatë javës do të lëvizin ndërmjet 15 dhe 23 gradë Celsius.
Era në fillim të javës do të fryjë nga jugperëndimi me intensitet të lehtë deri mesatar, ndërsa nga mesi i javës pritet dominim i erërave nga verilindja dhe veriperëndimi.
IHMK vlerëson se kushtet agrometeorologjike mbeten përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore, sidomos për perimet pranverore, drithërat dhe pemëtarinë. Reshjet e herëpashershme do të ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë në tokë, megjithatë temperaturat më të ulëta gjatë mëngjeseve mund të shkaktojnë stres te kulturat më të ndjeshme në viset e ulëta dhe lugina.
Fermerëve u rekomandohet që trajtimet me preparate mbrojtëse t’i realizojnë në intervale pa reshje dhe me erëra të dobëta.
Sa i përket cilësisë së ajrit, ajo pritet të mbetet kryesisht e mirë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit, falë qarkullimit të masave ajrore dhe erërave të lehta që do të ndikojnë në shpërndarjen e ndotësve atmosferikë. Në zonat urbane mund të ketë rritje të lehtë të koncentrimit të ndotësve gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes, por pa ndikime të theksuara në shëndetin e qytetarëve. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 11.05..2026 | 12.05.2026 | ||
| Temp. Min.0C | Temp. Max 0C | Temp. Min.0C | Temp. Max.0C | |
| Prishtinë | 10 | 22 | 8 | 19 |
| Pejë | 10 | 22 | 8 | 19 |
| Prizren | 11 | 23 | 9 | 20 |
| Gjakovë | 11 | 23 | 9 | 20 |
| Istog | 11 | 23 | 9 | 20 |
| Junik | 10 | 22 | 8 | 19 |
| Dragash | 7 | 19 | 6 | 17 |
| Ferizaj | 9 | 21 | 7 | 18 |
| Gjilan | 9 | 21 | 7 | 18 |
| Kamenicë | 9 | 22 | 7 | 19 |
| Besianë | 9 | 21 | 8 | 18 |
| Mitrovicë | 9 | 21 | 8 | 18 |
| Malishevë | 10 | 22 | 9 | 19 |
