Qytetarët kërkojnë masa ndaj drejtuesve të trotineteve në sheshe
Pavarësisht ndalimit të lëvizjes së trotineteve elektrike dhe biçikletave në sheshet e Prishtinës, shumë drejtues vazhdojnë t`i përdorin ato, duke rrezikuar këmbësorët.
Në sheshet e kryeqytetit, plot qytetarë shëtisin e lëvizin për nevojat e tyre.
Por, shqetësim e rrezikim për ta, po paraqesin përdoruesit e trotineteve e biçikletave në këto hapësira, pavarësisht asaj se Komuna i ka ndaluar.
“E rrezikshme edhe tepër e rrezikshme. Dje këtu i kanë rënë njëri-tjetrit, edhe veç qëlluan shumë, njerëz e si lanë me u kacafytë mes vete”.
Qytetarët kërkojnë që organet kompetente të ndërmarrin masa në këtë drejtim.
“Na nuk mundemi me zgjedh këtë problem. Janë organet, konfiskoja”.
Ekspertët e komunikacionit thonë se trotinetet dhe biçikletat duhet të lëvizin në shiritin e caktuar.
“Nuk munden me i shfrytëzuar, as hapësirat publike, të cilat janë të dedikuar për këmbësorë, për shëtitore, dhe në trotuar”, ka thënë Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit.
Policia e Kosovës ka hartuar dhe zbatuar një plan operativ me fokus në trotinetet elektrike dhe biçikletat që qarkullojnë në sheshet e kryeqytetit, ku lëvizja e tyre është e ndaluar me sinjalizim përkatës dhe se Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit do të vazhdojë zbatimin e planeve të tilla, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe garantimin e rendit e qetësisë publike.
“Në kuadër të këtij plani, zyrtarët policorë fillimisht kanë tërhequr vërejtjen ndaj drejtuesve, ndërsa në rastet e shkeljeve janë ndërmarrë edhe masa ndaj kundërvajtësve, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet nga Policia.
“Javën e kaluar, Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë patrullimeve dhe monitorimit të vazhdueshëm, zyrtarët policorë fillimisht kanë zhvilluar aktivitete vetëdijesuese.
E për kundërvajtësit janë ndërmarrë masa në përputhje me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.
Ndaj shtatë drejtuesve të trotineteve elektrike janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 150 eurosh. Po ashtu, trotinetet elektrike u janë sekuestruar, thuhet në njoftimin e Policisë.
