Java Ndërkombëtare e Parasë sjell edukimin financiar në shkollat fillore

Java Ndërkombëtare e Parasë sjell edukimin financiar në shkollat fillore. Në shkollën “Dituria” në fshatin Shkabaj të Prishtinës, mësuan për rëndësinë e kursimit dhe menaxhimit të parave.

Përmes aktiviteteve edukative, ata po kuptojnë si t’i planifikojnë shpenzimet dhe të kursejnë për të ardhmen.

“Kam mësuar që nuk duhet paratë në gjëra që nuk na nevojiten. Gjithashtu kemi mësuar që paranë duhet ta kursejmë për të ardhmen tonë, kur të rritemi t’i shpenzojmë për fakultet”, ka thënë nxënësja Altuna Isufi.

Kurse nxënësja Reina Preniqi, ka thënë se shpenzimi iu duhet në jetën e përditshme. “Për me shpenzuar për ushqime, rroba, libra etj.”

“Unë kam mësuar për rëndësinë e kursimeve që është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë dhe duhet të kursejmë çdo herë”, ka thënë nxënësi Erblin Kastrati.

Nga Shoqata e Bankave theksojnë se edukimi financiar është një shtyllë kyçe për një shoqëri të përgjegjshme dhe të qëndrueshme.

“Rëndësia e kësaj fushate është se ne çdo ditë hasim në probleme të ndryshme mbi financat tona personale, andaj ne jemi fokusuar tek të rinjtë dhe tek nxënësit e shkollave fillore që ata qysh në moshë të re, të njihen me konceptin e parasë”, ka thënë Vesa Vuçitërna, zyrtare për Komunikim dhe Marketing në Shoqatën e Bankave të Kosovës.

Për t`i ndihmuar nxënësit që ta kuptojnë më mirë menaxhimin e parasë, mësuesja e klasës Drita Bajrami sjell shembuj praktikë në mësim.

“Qysh nga familjet duhet që fëmija të jetë vazhdimisht i kyqun, qysh në moshën e hershme, që në moshën madhore edhe ai të di të bëjë planifikimin edhe të buxhetit, planifikim familjar”,ka thënë Bajrami.

Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë globale që synon ndërgjegjësimin dhe edukimin financiar të të rinjve, duke i ndihmuar ata që të marrin vendime më të mençura për të ardhmen e tyre ekonomike.


Go to TOP