Java e Integritetit 2025: Fokus te konfliktet e interesit në arsimin e lartë
Në kuadër të Javës së Integritetit 2025, që po zhvillohet në shënim të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sot në Prishtinë u mbajt sesioni tematik i dedikuar parandalimit të konfliktit të interesit në arsimin e lartë, një prej çështjeve më të rëndësishme për besueshmërinë institucionale dhe cilësinë akademike.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, tha se integriteti akademik është “shtylla e universiteteve dhe e besimit publik”, ndërsa theksoi se qeverisja e mirë universitare varet drejtpërdrejt nga shmangia e konflikteve të interesit.
Drejtori i Departamentit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në APK, Esad Ejupi, theksoi se praktika tregon raste ku konfliktet e interesit nuk deklarohen me kohë, duke vështirësuar parandalimin dhe duke dëmtuar integritetin institucional.
Gazetari hulumtues i BIRN, Kreshnik Gashi, kërkoi që universitetet të bëjnë vlerësime të qarta të rrezikut, duke theksuar se “pa identifikimin e zonave më të ndjeshme, planet e veprimit mbeten të pjesshme”.
Rektorja e Kolegjit Publik IBCM, Mihone Kerolli Mustafa, prezantoi mekanizmat e brendshëm të kolegjit për vetëdeklarim, etike dhe disiplinë, ndërsa theksoi se si institucion që menaxhon fonde publike ka standarde të larta përgjegjësie.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Artan Dermaku, tha se mekanizmat e brendshëm në universitetet publike ekzistojnë, por mbikëqyrja e APK-së dhe MAShTI-t mbetet thelbësore për ruajtjen e standardeve në arsimin e lartë.
Nga ORCA, drejtori Dibran Hoxha foli për rolin e deklarimit të pasurisë si instrument në identifikimin e konflikteve të interesit, duke prezantuar gjetje të gabimeve dhe pasaktësive në deklarimet e vitit 2024.
Pjesëmarrës të tjerë nga universitetet publike dhe organizatat e shoqërisë civile theksuan se konfliktet e interesit, nëse nuk menaxhohen si duhet, rrezikojnë reputacionin e universiteteve dhe besimin e qytetarëve.
Java e Integritetit 2025 vazhdon edhe nesër me sesione të tjera për forcimin e kulturës së integritetit dhe qeverisjes së mirë në institucionet publike.
