Izraeli godet nga ajri qytetin Rafah në Rripin e Gazës

Të enjten ushtria izraelite ndërmori sulme ajrore ndaj qytetit Rafah në Rripin e Gazës, duke vënë në shënjestër militantët që kishin sulmuar nga ajo zonë, thanë zyrtarët. Ushtria izraelite tha se asgjësoi me sukses rreth pesë raketa të lëshuara nga qyteti Rafah.

Forcat izraelite shkatërruan gjithashtu “objektiva të dyshimta ajrore” që kaluan mbi territorin izraelit nga Libani jugor të enjten, ndërsa dy dron që fluturonin në të njëjtën trajektore ranë në zonën e Galilesë në Izrael.

Izraeli dhe grupi militant Hezbollah, me bazë në Liban, kanë zhvilluar përleshje të armatosura përgjatë kufirit që nga fillimi i luftës në Gazë, duke rritur frikën për një konflikt të zgjeruar në rajon. Luftimet vazhduan të enjten edhe në pjesën veriore të Gazës, një ditë pasi Izraeli dha urdhër për evakuimin e popullsisë civile.

Stephane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, tha të mërkurën se evakuimi “vetëm do të nxisë vuajtje masive për familjet palestineze, shumë prej të cilave janë zhvendosur disa herë”.

“Këta civilë duhet të mbrohen dhe duhet të plotësohen nevojat e tyre thelbësore, nëse largohen apo nëse qëndrojnë”, tha zoti Dujarric.

Programi Botëror i Ushqimit shkroi të mërkurën në rrjetin X se në qytetin e Gazës po zhvilloheshin “aksione ushtarake të intensifikuara”, duke çuar në “përshkallëzimin e nevojave humanitare”. Agjencia e OKB-së tha më tej se situata është “e paparashikueshme dhe e paqëndrueshme”.

Militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe morën peng 250 të tjerë gjatë sulmit terrorist të 7 tetorit në Izrael, duke nxitur luftën në Gazë. Izraeli beson se Hamasi po mban 116 pengje, përfshirë 42 për të cilët ushtria thotë se kanë vdekur.

Kundërofensiva izraelite ka lënë më shumë se 38,200 të vrarë, sipas ministrisë së shëndetësisë të Gazës të kontrolluar nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve.

Disa të dhëna për këtë lajm janë siguruar nga Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

Go to TOP