Italia me masa të reja kundër COVID-19, ndalon festimet për Vitin e Ri në ambient të hapur
Italia ka forcuar kufizimet për të frenuar infeksionet në rritje të COVID-19, duke përfshirë ndalimin e të gjitha festimeve publike të Vitit të Ri. Qeveria njoftoi se vendimi vie pasi infeksionet ditore arritën një rekord të lartë.
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, tha se mbajtja e maskave do të jetë përsëri e detyrueshme jashtë, në transport publik dhe në vende publike, si teatro, kinema e ngjarje sportive.
Për më tepër, koncertet dhe ngjarjet në mjedis të hapur do të ndalohen deri më 31 janar dhe diskotekat e klubet e kërcimit do të duhet të mbyllin dyert deri në atë datë.
Njoftimi erdhi në ditën kur Italia regjistroi një rekord prej 44 mijë e 595 raste të reja të koronavirusit, një rritje prej më shumë se 70% në vetëm një javë, me variantin e ri Omicron, që filloi të shpërthejë në të gjithë vendin.
Speranza njoftoi se pothuajse 89% e italianëve ishin vaksinuar, por qeveria dëshironte të përshpejtonte dhënien e vaksinave të treta përforcuese, që shihen si mburoja më efektive kundër variantit Omicron, që po përfshin Evropën dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Qeveria do të shkurtojë kohën e pritjes për një përforcues pas vaksinës së dytë në katër muaj nga pesë. Për më tepër, ministrat ranë dakord të zvogëlojnë vlefshmërinë e certifikatave shëndetësore të COVID-19, të cilat nevojiten për të hyrë në një sërë vendesh dhe shërbimesh, në njohjen e faktit se efektiviteti i vaksinës zbehet me kalimin e kohës.
Si rezultat, nga 1 shkurti, certifikatat, të cilat tregojnë nëse dikush është vaksinuar ose është shëruar së fundmi nga koronavirusi, do të jenë të vlefshme vetëm për gjashtë muaj dhe jo për nëntë, sa janë aktualisht.