Gjermania regjistron vdekjen e parë nga varianti Omicron i COVID-19

Agjencia shëndetësore e Institutit Robert Koch (RKI) me qendër në Berlin, njoftoi se Gjermania regjistroi vdekjen e parë nga varianti Omicron i koronavirusit të enjten. RKI tha se personi ishte midis moshës 60 dhe 79 vjeç.

Deri më tani, 3 mijë e 198 raste me variantin e ri të koronavirusit janë zbuluar në Gjermani, me një rritje të rasteve prej 25% nga e mërkura deri të enjten.

Ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, tha se pret një rritje të rasteve nga varianti rreth Vitit të Ri.  Vendi do të miratojë kufizime të reja duke filluar nga 28 dhjetori për të frenuar përhapjen e infeksionit. Këto masa përfshijnë kufizimin e tubimeve private në maksimum 10 persona dhe mbylljen e klubeve të natës dhe diskove.

Gjermania ka zgjeruar gjithashtu kufizimet e udhëtimit, duke e bërë të detyrueshme që udhëtarët që vijnë nga zonat e goditura nga variantet si Afrika e Jugut dhe Mbretëria e Bashkuar të futen në karantinë, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Ditët e fundit në të gjithë vendin kanë ndodhur protesta kundër kufizimeve të reja për COVID-19. Derisa një demonstratë me 5 mijë veta në qytetin e Mynihut, u kthye në dhunë të mërkurën vonë.

Go to TOP