Imami i Qabesë viziton ekspozitën “Urat” në Prishtinë
Imami i Qabesë, shejh Badar Baleela, ka vizituar sot ekspozitën “Urat”, e cila po mbahet në Prishtinë.
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se në shoqërim të imamit të Qabesë kanë qenë Besim Mehmeti, shef i Kabinetit të Myftiut Tërnava, si dhe nga zëvendëskryeimami, Fatmir Iljazi.
“Imami i Qabesë, pa nga afër këtë organizim të mrekullueshëm mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare të Arabisë Saudite. Imami i Qabesë pa nga afër interesimin tejet të lartë të qytetarëve të Kosovës për të parë nga afër këtë ekspozitë, ku përmes saj mund të mësojnë më shumë për traditën dhe kulturën e Arabisë Saudite e cila është e gërshetuar me Islamin”, thuhet në njoftimin e BIK-ut.
Imami i Qabesë, ka vizituar edhe xhamitë në Prishtinë derisa në Kosovë ka vizituar edhe garuesit e Garave Ndërkombëtare të Kuranit, të cilat po mbahen në kryeqytetin kosovar, nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Ministrisë së Çështjeve Fetare, Thirrjes dhe Udhëzimit të Mbretërisë së Arabisë Saudite. /Kosova.info/
