Ilaçet pa afat s’duhet të gjuhen në kontejnerë 

Ilaçet me afat të skaduar të cilat përdoren nga qytetarët në trajtim shtëpie, assesi nuk duhet të hedhen në kontejnerët e mbeturinave apo në rrjetin e kanalizimit.

Kjo për shkak se barnat kanë substanca kimike e të cilat ndikojnë në ndotjen e mjedisit, ndaj sipas kreut të Odës Farmaceutike të Kosovës, Arianit Jakupi, qytetarët në asnjë mënyrë nuk duhet t’i hedhin në mbeturina, raporton Klan Kosova.

Megjithatë, qytetarët e bëjnë këtë veprim. Barnat që nuk kanë më afat, ata nuk i mbajnë në shtëpi por i gjuajnë si mbeturina të zakonshme në kontejnerë.

Derisa thonë se nuk kanë informacion se si duhet vepruar në këtë situatë, por që nuk kanë zgjidhje tjetër.

Në fakt me Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, barnat të cilat nuk kanë më afat të përdorimit, qytetarët duhet t’i dorëzojnë në barnatore.

Kjo sipas Odës Farmaceutike nuk po funksionon për shkak se ligji nuk e ka përcaktuar se nga cili dikaster duhet të financohen barnatoret për asgjësimin e medikamenteve të pranuara nga përdoruesit apo qytetarët.

Ndaj OFK thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Mjedisit duhet të krijojnë një mekanizëm, që kjo çështje të zgjidhet.

Por, ka qytetarë që i kanë thënë televizionit se në barnatoret ku i kanë blerë ilaçet, e të cilave më pas u ka skaduar afati, kanë shkuar për t’i dorëzuar, mirëpo që janë refuzuar. Prandaj, alternativën e vetme e kanë pasur që ato t’i gjuajnë në kontejnerë.

Kreu i OFK-së thotë se Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale aktualisht është fazën e plotësim-ndryshimit ku duhet të adresohet dhe të definohet edhe kjo çështje me rëndësi për shëndetin.

Go to TOP