IKD: Kosova pa Këshill për Siguri në Punë – 263 punëtorë të vdekur në 12 vjet, institucionet heshtin

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur alarmin për dështimin institucional në garantimin e sigurisë në vendin e punës. Në një komunikatë, IKD thekson se mosfunksionalizimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë po lë të pambrojtur punëtorët, teksa numri i viktimave në vendin e punës ka arritur në 263 gjatë 12 viteve të fundit

Në komunikatën e lëshuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), theksohet se gjatë periudhës 2012–2024, 263 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës. Vetëm gjatë vitit 2024 janë regjistruar 12 raste të vdekjeve, ndërsa në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë shënuar edhe 10 raste të reja. Këto të dhëna përfaqësojnë një situatë alarmante dhe një dështim të thellë institucional për të siguruar një ambient të sigurt dhe të shëndetshëm për punëtorët.

IKD rikujton se Kosova ka në fuqi një ligj për sigurinë dhe shëndetin në punë, i cili përcakton qartë parimet për parandalimin e rreziqeve profesionale dhe për mbrojtjen e të punësuarve. Megjithatë, sipas IKD-së, ky ligj nuk është përditësuar sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe as nuk po zbatohet në mënyrë efektive.

Pika më e theksuar e kritikës është mosfunksionalizimi i Këshillit Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë – një trup ndërinstitucional që, sipas ligjit, duhet të hartojë politika, të monitorojë zbatimin e standardeve dhe të japë rekomandime për përmirësimin e kushteve të punës. Ky Këshill, që duhet të përfshijë përfaqësues të qeverisë, sindikatave, punëdhënësve dhe ekspertëve, nuk është themeluar ende, duke e bërë të pamundur ushtrimin e këtij mekanizmi të rëndësishëm.

“Mosfunksionalizimi i këtij Këshilli reflekton mungesën e vullnetit politik për të trajtuar me serioz jetën dhe mirëqenien e punëtorëve”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

IKD apelon që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të funksionalizuar Këshillin dhe për të siguruar zbatimin e ligjit në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që të parandalohet humbja e mëtejshme e jetëve në vendin e punës. /Kosova.info/


Go to TOP