Hajdari i PDK-së Kurtit: Vendi yt nuk është në histori por as në qeveri
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Petrit Hajdari, ka kritikuar sot atë çka Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë bërë përmes një video propagandistike.
Hajdari ka thënë se LVV dhe Kurti po e ndjenjë frikën e rënies, prandaj po mundohen që dështimin e tyre ta fshehin duke i goditur ish udhëheqësit e shtetit që sot janë në Hagë.
Zyrtari i lartë i PDK-së, thotë se Kurti e ka vështirë të pranoj faktin se nuk ka vend në histori dhe po lufton ata që bënë historinë.
Ky është postimi i Hajdarit:
Dështim pas dështimi, maskim pas maskimi.
Koha është më e vështirë se kurrë. Krizë ekonomike, energjetike, e çfare jo.
Në kohën kur nuk janë ekzekutuar pagat e mësimdhënësve, në vend që ta shihnim kryeministrin duke u rrekur t’i zgjidhte problemet e kategorive të ndryshme në Kosovë, atë e shohim duke nënshtruar një pjesë, e duke tentuar ta gozhdojë pjesën tjetër.
Në fillim thoshin nuk merremi me opozitën, tani që e kanë ndjerë në palcë frikën e panikun nga rënia e mbështetjes, nxjerrin video me të cilat godasin njerëzit që janë në Hagë e s’mund të flasin për ta mbrojtur veten nga këto damkosje.
Fare e thjeshtë: Kryeministër, zgjidhi problemet për të cilat je votuar. Nuk ka askush plan të të rrëzojë, do të stërkeqesh edhe më keq se kaq dhe do të bëhesh për mëshirë me humbjen fatale të përkrahjes.
Por, s’është puna te përkrahja. Është puna te ngecjet për të qeverisur. Ti nuk di dhe nuk do të mësosh. Vendi yt, jo që nuk është në histori, por nuk është as në qeveri.
Këtë, më shpejt se që ta merr mendja, do të ta thotë qytetari.
