I bëj thirrje ambasadores Yuri Kim që t’i dalë publikisht në mbrojtje Evi Kokalarit

Shkruan Elida BUQPAPAJ

Sot opinioni shqiptar ka parë me sytë e ballit, live, që tri mbështetëse të Lulzim Bashës ushtruan dhunë verbale, psikologjike dhe fizike ndaj Evi Kokalarit, një aktiviste shumë e njohur Shqiptaro-Amerikane e cila ka ardhur në Tiranë në mbështetje të reformimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Nuk është hera e parë që Evi Kokalari sulmohet dhe fyhet nga gjithë nëntoka e krimit në Shqipëri me shpifje dhe pretendime nga më të paqënat të tipit stalinisto-enverist.

Por pas sulmit të sotshëm, që ishte dhunë direkte me kamera recording on, prita se do të kishte një deklarim të menjëhershëm nga Ambasada Amerikane dhe direkt nga zonja Yuri Kim, e cila ka një qasje shumë populiste dhe nuk mungon kurrë të dalë në foto nëpër aktivitetet e saj të shumta, sidomos kur është fjala për të marrë në mbrojtje gratë!

Aq më tepër kur Ambasada Amerikane e ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet dhe Evi Kokalari është një shtetase shumë e denjë Amerikane.

Por kanë kaluar disa orë dhe Ambasada Amerikane ka heshtur.

Kjo më bën të kthehem disa ditë pas kur, në prag të 11 dhjetorit, ditës së lajmëruar për Kuvendin e Jashtëzakonshëm tek Arena Air Albania, megjithëse pala organizuese kishte bërë me dije që ky kuvend do të ishte paqësor dhe shembullor, nga Ambasada Amerikane u lëshua një info alarm, si më poshtë:

“Alert për demonstratë:Vendndodhja: Tiranë: Stadiumi Air Albania/Data/Ora: E shtunë, 11 dhjetor 2021, ora 10:00. Ngjarja: Një tubim politik është paralajmëruar të zhvillohet në orën 10:00 të datës 11 dhjetor në stadiumin Air Albania në Tiranë. Ky tubim mund të migrojë në vende të tjera në Tiranë. Madhësia dhe kohëzgjatja e saktë e mbledhjes së pritshme nuk dihen. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.”

Pra, sipas paralajmërimit lëshuar nga Ambasada Amerikane, lihej të kuptohej se Ambasada kishte informacion të bollshëm për dhunën që do të ngjiste. Po shtoj këtu se edhe ne si gazetarë kemi marrë të njëjtat info, pak a shumë, nga burime informale, të cilat nuk kishin asnjë bazë reale për këndvështrimin e çdo profesionisti të mediave, aq më tepër të sigurisë dhe rendit publik. Duke iu referuar Foltoreve gjatë tre muajve, mund të ishte konstatuar se në këto takime në të gjithë Shqipërinë, demonstrohej civilizim dhe maturi, ndërkohë që shihej qartë se gjithë baza e Partisë Demokratike, populli i thjeshtë ishte kundër Lulzim Bashës, i cili ishte një lider kukull, sepse tani nuk është më kryetari PD.

Dukej qartë – që një burim “shumë i besueshëm” për Ambasadën Amerikane kishte dhënë info aq të mjaftueshme – allegation – , sa që ky institucion të dilte me alert “portokalli”, duke paralajmëruar shtetasit Amerikanë.

Në fakt, burimi që kishte informuar për dhunë Ambasadën Amerikane, e ndillte dhunën, e donte dhunën, bile puna shkoi deri aty sa edhe deputetë të PD mbështetës të Lulzim Bashës, në mënyrë absurde krijuan paralelizmin idiot midis madhështisë të 5000 delegatëve të 11 dhjetorit me trazirat e 1997!

Nuk mund të mos imagjinoj se ata që kishin dhënë info tek Ambasada Amerikane duhet të kishin qënë pikërisht mbështetësit e Lulzim Bashës, vetë Lulzim Basha ose Ministri i Brendshëm i Edi Ramës, Bledi Çuçi, i cili ditën e 11 dhjetorit e kishte mbushur Tiranës me blinda policie!

Çfarë turpi! Njerëz inkompetentë! Zemërzinj! Që duan ballafaqim dhe ndeshje midis shqiptarëve, por që nuk do ta kenë kurrë më këtë kënaqësi!

Kjo të lë të kuptohet se Edi Rama dhe Lulzim Basha kërkojnë që patjetër, me çdo kusht e mjete, që reformatorët e PD të dalin si “destabilizues”, kur në fakt destabilizues janë vetë ata!

Dhe shfaqja e turpshme, e dhunshme kundër aktivistes së njohur Evi Kokalari nga tri gra, mbështetëse të Lulzim Bashës, që i silleshin Evi Kokalarit si shtriga, duke e kërcënuar, duke e sulmuar, duke i kërkuar llogari, duke i dhënë urdhër që të mos vinte në Shqipëri, është realiteti i vërtetë që sundon në mes të Tiranës dhe sinjali i qartë pa ekuivoke se destabilizimin në Shqipëri mund ta krijojnë vetëm bandat e Lulzim Bashës.

E kam pretendim këtë konkluzion, është një allegation, por i mbështetur në fakte dhe në klimën që ekziston në Tiranë.

Ndërsa sot Ambasada Amerikane e pa me sy të ballit se dhuna vinte implicitivisht direkt nga Lulzim Basha kundër një qytetareje të nderuar Amerikane dhe hesht, kur do të duhej që të dilte menjeherë zonja Juri Kim e të merrte në mbrojtje Evi Kokalarin, edhe si shtetase Amerikane, edhe si grua, edhe si aktiviste.

Dhe unë po i bëj ftesë zonjës Ambasadore, që të dalë publikisht dhe të dënojë dhunën kundër Evi Kokalarit, t’i dënojë edhe frymëzuesit e kësaj dhune, që janë Lulzim Basha me enturazhin e tij, që deri tani ka thyer brava, ka bastisur zyra dhe ka dhënë info të rreme, allegation në Ambasadën Amerikane, sepse dhunues, destabilizues dhe shkaktar trazirash mund të jetë vetëm ai me një grusht mbështetësit e tij, sepse baza e Partisë Demokratike është për reformim në bazë të rregullave demokratike!

Ndërsa ministri i Brendshëm i Edi Ramës, bashkëshorti i ish gruas së kryeministrit, duhet të jetë kompetent, ta përmbushë detyrën si përgjegjës për mbrojtjen e rendit publik dhe si institucion i besueshëm për të mos i dhënë fake news Ambasadës Amerikane që kjo pastaj të shqetësohet me të drejtë për qytetarët e saj!

Por lind pyetja e si duhet të jenë qytetarët Amerikane që t’i marrë në mbrojtje Ambasada Amerikane për deri sa deri tani nuk e ka marrë në mbrojtje Evi Kokalarin, që u sulmua me kamera të ndezura, brutalisht, verbalisht, fizikisht!

Zhvillimi në mënyrë të shkëlqyer i Kuvendit të Jashtëzakonshëm më 11 dhjetor, ku 5000 delegatë demonstruan civilizim europianist dhe agresioni më i fundit brutal kundër Evi Kokalarit në selinë e PD-së nga njerëzit e Lulzim Bashës, tregon qartë se cilët janë destabilizuesit, dhunuesit dhe rrezik për paqen e stabilitetin.

Opinioni publik, mbështetur në fakte që i sheh me sytë e ballit, shikon se nga vjen rreziku dhe cilët janë zjarrvënësit e vërtetë.

Edhe Ambasada Amerikane gjithashtu duhet të jetë tani e qartë, për të mos shpërndarë info të mbështetura mbi allegation, pretendime, që rezultojnë në fund fake dhe që nuk përkojnë me të vërtetën.

Go to TOP