Zgjedhja e kryetarit përmes Referendumit, akt i kthesës së madhe në LDK!

Shkruan: Florim ZEQA

Duke e parë tendencën e katandisjes së partisë drejt greminës së pafund dhe zhgënjimin e thellë të elektoratit të LDK-së për humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhjet parlamentare, e shpreha gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e drejtimit të partisë më të vjetër në vend, jo pse kam ambicie personale, por për të parandaluar ndarjen e re dhe për të ndihmuar ngritjen dhe rikthimin e LDK-së në vendin që e meriton.

Kthimi në ADN-në politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kjo nuk është dëshirë personale, por mundësi reale për të përmbushur kërkesat e elektoratit rugovian të LDK-së.

Kemi nevojë për lidership të ri dhe unitet veprues në reformimin dhe konsolidimin e plotë të strukturave të LDK-së përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, të rregullt dhe demokratik, e jo përmes kuvendeve të improvizuara për të ruajtur vazhdimësinë e kapjes dhe uzurpimit të LDK-së!

Kjo që ofroj unë nuk është rrugë e re dhe as e vjetër, por është kërkesë për referendum qytetar për zgjedhjen e kryetarit të LDK-së, e cila është kthim në ADN-në politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila për qëllim ka rikthimin e shkëlqimit të tri shkronjave të arta – LDK.

Të shumtë janë mbështetësit e filozofisë politike rugoviane edhe nga partitë e tjera, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për rikthim të menjëhershëm në LDK në rast të zgjedhjes sime në krye të LDK-së!

Unë, në rrugëtimin politik, nuk e synoj vetëm 16-përqindëshin e mbetur në LDK, por e synoj 30-përqindëshin e elektoratit pasiv (rugovian), të shpërndarë gjithandej në subjektet e tjera politike!

E mirëpres edhe vullnetin pozitiv nga 16-përqindëshi i elektoratit të LDK-së, të rreshtuar verbërisht pas rrënuesve të filozofisë politike rugoviane.

Më 2 janar 2026 ka filluar Epoka e Ndryshimit në LDK

Pavarësisht heshtjes së zyrtarëve të lartë të LDK-së, me kandidaturën time për kryetar të LDK-së, më 2 janar 2026 ka filluar Epoka e Ndryshimit dhe e rikthimit të fuqishëm të filozofisë politike rugoviane, të cilën nuk mund ta pengojë dhe ta parandalojë askush!

Tashmë krah meje janë rreshtuar shumica e elektoratit të heshtur të LDK-së dhe të penduarit që kanë ikur nëpër parti të tjera si pasojë e kapjes dhe uzurpimit të LDK-së nga klanet dhe grupet e interesit!

Elektorati e ka mirëpritur dhe vlerësuar lart kandidaturën dhe misionin tim jetësor për ringritjen e LDK-së si “Feniksi” nga hiri i rrënuesve të pamëshirshëm!

Vullneti im dhe gatishmëria e elektoratit janë fisnike dhe hyjnore, janë aq impulsive sa nuk ka forcë që na ndalon në misionin tonë për ringritjen e LDK-së!

LDK-në nuk mund ta ringrisin ata që e rrënuan, ata që e kapën dhe e shfrytëzuan pamëshirshëm për dy dekada për interesa personale.

LDK nuk ringritet me demokraci të improvizuar, pa moral politik dhe pa etikë njerëzore.

Ringritjen nuk mund ta bëjë një autokrat i sojit të Lumir Abdixhikut, i cili dorëheqjen e ktheu në pazar politik dhe në luftë klasash në LDK!

Lumir Abdixhiku dhe askush tjetër nuk mund ta konsiderojë si fitore votimin në “Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor”, pasi diferenca mes mbështetësve dhe kundërshtarëve do të jetë minimale dhe nuk do t’i japë votëbesim të plotë!

Votëbesimi është demagogji dhe mashtrim i radhës i klanit të Isa Mustafës, të cilët me kërkesën kinse për dorëheqjen e Lumirit, për qëllim e kanë mbrojtjen dhe jo largimin e tij nga drejtimi i partisë!

Vjosa pa kredibilitet më shumë e dëmtoi sesa e ndihmoi LDK-në

Me rikthimin e Vjosa Osmanit jo vetëm që nuk ndodhi “bashkimi i madh”, por ndodhi përçarja më e madhe e elektoratit brenda LDK-së!

Vjosa është produkti që e solli loja djallëzore e Lumirit dhe mbështetësve të tij morbidë, ku prapa tij qëndron një klan i fuqishëm antirugovist dhe antishtetëror!

Klanorët po mundohen t’ia shesin “sapunin për djathë” elektoratit përmes të ashtuquajturit “Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor”, të cilat janë mashtrime të kriposura me hipokrizi, siç ishte “dorëheqja” e Abdixhikut pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar!

Pas votimit të kontrabanduar në “Kuvendin e Punës” jo vetëm që nuk ndodhi ndryshimi në qasjen e drejtimit të partisë, por LDK-në e çoi drejt ndarjeve dhe përplasjeve të fuqishme e të njëpasnjëshme!

U dëshmua katërçipërisht se në LDK nuk janë vetëm dy klanet e së njëjtës kokë (Isa Mustafa) që u ballafaquan në Kuvendin e 31 janarit, por janë edhe shumë klane të tjera me ambicie për të udhëhequr me këtë subjekt politik, të cilat do të përplasen fuqishëm në të ashtuquajturin “Kuvend i Jashtëzakonshëm Zgjedhor”!

Referendumi e kthen vendimmarrjen tek elektorati dhe e shpëton LDK-në nga zhbërja totale

Në fakt, kjo është arsyeja pse unë vendosa të kandidoj për drejtimin e partisë. Kandidatura ime nuk është ambicie personale, por mision për ringritjen e LDK-së!

Kandidatura ime është treni i fundit për shpëtimin e LDK-së!

Pa kaluar kohë e gjatë do të bindeni për këtë, por kam drojë se do të jetë vonë për LDK-në!

Në rrethanat aktuale të ndarjes dhe fragmentizimit të LDK-së, e vetmja mundësi për kthimin e shpejtë të besimit është krijimi i një grupi të pavarur brenda elektoratit për organizimin e një referendumi për zgjedhjen e kryetarit. Në të kundërtën, në LDK asnjëherë nuk do të ketë paqe mes yryshnikëve të pushtetit derisa kjo parti të bjerë në humnerën e pakthimit, pasi LDK është katandisur keq jo vetëm në aspektin numerik, por edhe në vlerat demokratike.

Baza deleguese e Kuvendit të LDK-së është e vjetruar dhe e konsumuar që nga viti 2010, të cilën e instaloi Isa Mustafa përmes puçit politik.

Andaj, vetëm Referendumi mund ta kthejë vendimmarrjen tek elektorati dhe mund ta shpëtojë LDK-në nga zhbërja totale!

Kthimi i vendimmarrjes tek elektorati kinse përmes “Kuvendeve të Jashtëzakonshme”, pa zgjedhje të brendshme, të lira dhe të ndershme, është vetëm një frazeologji mashtruese e klanorëve, të cilët dëshirojnë ta konsolidojnë tandemin Lumiri–Vjosa në LDK pa zgjedhje të brendshme dhe pa e reformuar partinë!

Vendimmarrja tek elektorati kthehet vetëm përmes Referendumit si barometër demokratik, i cili e bën matjen më të saktë të vullnetit të elektoratit!

Vullneti i popullit është vullneti i Zotit!

Cilido kandidat që zgjidhet kryetar i LDK-së përmes Referendumit do të jetë i pranueshëm për të gjithë dhe i suksesshëm në ringritjen e partisë.

Nëse elektorati më ngarkon me besim për drejtimin e LDK-së, unë do ta shpërblej me ringritje të shpejtë në vendin që e meriton, si zonjë e parë e skenës politike kosovare dhe mbretëreshë e qeverisjes së vendit pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare.


Go to TOP