Hyseni: Edukimi tatimor, prioritet kryesor i Administratës Tatimore të Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), z. Mentor Hyseni, ka mbajtur një takim të përbashkët me drejtorët e të gjitha drejtorive rajonale të institucionit, ku u diskutua rreth sfidave kryesore me të cilat përballen drejtoritë rajonale dhe progresit në realizimin e objektivave institucionale.

Gjatë takimit, drejtori Hyseni theksoi se ATK-ja do të ketë në fokus shërbimin dhe edukimin e tatimpaguesve duke e parë edukimin tatimor si prioritet kryesor. Ai nënvizoi se misioni i institucionit nuk është ndëshkimi, por ofrimi i udhëzimeve dhe mbështetjes së nevojshme për tatimpaguesit, në mënyrë që secili të ketë mundësi të përmbushë detyrimet ligjore në mënyrë të drejtë dhe të lehtë.

“Administrata Tatimore e Kosovës synon të jetë një institucion bashkëpunues, që ofron shërbime efikase dhe transparente për qytetarët dhe bizneset”, tha Hyseni duke shtuar se roli i drejtorive rajonale është thelbësor për arritjen e këtij vizioni.

Këto takime, sipas tij, kontribuojnë në krijimin e një administrate të unifikuar dhe bashkëpunuese duke rritur efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve për tatimpaguesit në mbarë vendin. /Kosova.info/


Go to TOP