Hyrë Tejeci Murati: LDK-ja nuk shuhet, ajo është vetë Kosova
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hyrë Tejeci Murati ka përcjellë një mesazh të fuqishëm për rëndësinë historike, politike dhe shoqërore të kësaj partie.
Në një reagim të saj, Murati thekson se LDK-ja duhet të dashur “për historinë që mbajnë këto tri shkronja, për sakrificën e madhe që ka bartur ky popull me breza” duke rikujtuar rolin kyç të presidentit historik Ibrahim Rugova, nën udhëheqjen e të cilit, sipas saj, “bota perëndimore ktheu kokën kah Kosova”.
Ajo pranon se LDK-ja ka kaluar periudha të vështira, me rritje e rënie, me “stuhi e erëra të forta”, por thekson se ka pasur dhe do të ketë sërish “diell e dritë”, sepse kjo parti, sipas Muratit, është themel i vetë shtetësisë së Kosovës që nga janari i viteve ’90.
Murati vlerëson se demokracia e brendshme është një nga shtyllat kryesore të LDK-së, ku secili mund të shprehë mendimin për punët dhe gabimet që bëhen duke kritikuar zhurmën e madhe publike dhe mediatike rreth gjendjes së partisë.
“LDK i zgjidh problemet vetë. Nuk merr ‘këshilla’ në zhurma televizive”, thekson ajo duke shtuar se përqendrimi i tepruar te LDK-ja nga të tjerët tregon se kjo parti vazhdon të jetë shqetësim politik për kundërshtarët.
Në mesazhin e saj, Murati bën thirrje që vëmendja të mos largohet nga problemet reale të vendit, si faturat e larta dhe pasojat e rënda të vërshimeve që kanë prekur shumë zona të Kosovës.
“LDK-ja nuk zhduket. Ka pasur njerëz që kanë hyrë e kanë dalë, e kanë sharë e kanë goditur, por ajo mbetet. Do të ketë ditë të bardha edhe për LDK-në edhe për Kosovën”, shprehet ajo duke përmbyllur me mesazhin: “LDK-në duhet me dashtë pernime”.
Në fund, Murati shpreh solidaritet me qytetarët e prekur nga vërshimet dhe uron shëndet për të gjithë. /Kosova.info/
