Glorifikimi i Krimit: Luiz Ejlli shpall hero një hajdut dhe vrasës

Shkruan: Enkelejda Gavri – Mehmeti

Në një ngjarje që ka ngjallur reagime të ashpra dhe ka tronditur opinionin publik, këngëtari i njohur Luiz Ejlli ka shpallur hero një personazh të diskutueshëm si Faton Hajrizi, i cili sipas policisë së Kosovës dhe drejtësis kosovare ishte një kriminel i arratisur nga burgu. Ky akt i papritur dhe i papërshtatshëm nga një figurë publike dhe artist si Luiz Ejlli ka shkaktuar një valë indinjate dhe zhgënjimi mes qytetarëve dhe fansave të tij.

Fatoni, i cili ka një histori të gjatë të përfshirjes në aktivitete kriminale dhe i cili është arratisur nga drejtësia disa herë, është larg nga modeli që shoqëria do të duhej të ndjekë. Pas arratisjes së tij nga burgu në Kosovë, Hajrizi u strehuar në Serbi, ku përfshihet në një tjetër akt të rëndë kriminal, ku ai vrau një efektiv policie dhe plagosi një tjetër, duke përkeqësuar më tej reputacionin e tij si një kriminel i pamëshirshëm dhe i rrezikshëm. Pas këtij incidenti, policia serbe e lokalizoi dhe e vrau Faton Hajrizin brenda 48 orëve nga ngjarja e përgjakshme.

E megjithatë, Luiz Ejlli, në një moment që shumë e kanë cilësuar si të papërgjegjshëm dhe të turpshëm, e ka lartësuar atë në rangun e një heroi. Kjo deklaratë është e papranueshme dhe e rrezikshme, duke pasur parasysh ndikimin që figura të tilla publike që kanë mbi të rinjtë dhe shoqërinë në përgjithësi.

Në një shoqëri ku vlerat dhe morali duhet të jenë themeli i edukimit dhe frymëzimit, është krejtësisht e papranueshme që një hajdut dhe kriminel të glorifikohet. Një hero duhet të jetë dikush që vepron në të mirë të komunitetit, që sakrifikon për të tjerët dhe që përfaqëson virtytet më të larta njerëzore. Fatkeqësisht, deklarata e Ejllit ka devijuar krejtësisht nga këto parime.

Kjo ngjarje e shemtuar është një kujtesë për nevojën e kujdesit dhe përgjegjësisë në deklaratat publike, veçanërisht kur vijnë nga figura të njohura dhe me ndikim. Promovimi i individëve me të kaluar kriminale si heronj mund të dërgojë mesazhe të gabuara dhe të dëmshme, duke glorifikuar sjellje të paqëndrueshme dhe të paligjshme.

Në vend që të festojmë dhe glorifikojmë figura të errëta, duhet të kërkojmë dhe të vlerësojmë ata që punojnë për të përmirësuar jetët tona dhe shoqërinë në përgjithësi. Ejlli, si një figurë publike dhe artist, duhet të reflektojë mbi përgjegjësinë që ka dhe të tregojë kujdes të veçantë në mesazhet që përçon tek publiku. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si një mësim dhe një thirrje për ndërgjegjësim për të gjithë ata që kanë një platformë dhe një zë publik.

Go to TOP