Hoxhaj: Dënimet ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së janë ndërhyrje politike dhe përpjekje për rishkrim të historisë së Kosovës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj kërkesave të Prokurorisë Speciale për dënime ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) duke i cilësuar ato jo si drejtësi të paanshme, por si ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës.
Sipas Hoxhajt, këto procese përfaqësojnë një operacion të veçantë politik që, në thelb, përbën përndjekje selektive ndaj Kosovës duke zhvendosur vëmendjen nga pushteti gjenocidal serb te rezistenca shqiptare. Ai thekson se një qasje e tillë kriminalizon luftën çlirimtare dhe relativizon agresionin shtetëror të Serbisë.
“Serbia ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj këtij realiteti, si formë e mbrojtjes dhe rezistencës ndaj okupimit,” ka deklaruar Hoxhaj duke shtuar se çdo përpjekje për ta nxjerrë luftën çlirimtare jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike.
Ai vlerëson se duke u marrë ekskluzivisht me rezistencën dhe jo me aparatin shtetëror serb që kreu krime të rënda dhe gjenocid, gjykata krijon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit. “Kjo nuk shëron plagë, por prodhon relativizim moral dhe padrejtësi të reja,” thekson Hoxhaj.
Në reagimin e tij, Hoxhaj nënvizon se kriminalizimi i UÇK-së është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj historisë së popullit të Kosovës. Sipas tij, çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo të burokratëve në Bruksel.
“Drejtësia e vërtetë fillon vetëm kur emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri. Pa këtë, çdo vendim mbetet një formë tjetër e padrejtësisë,” ka përfunduar Hoxhaj.
Ai shpreh shqetësimin se sot, me fonde të Bashkimit Evropian, po luftohet historia e Kosovës dhe po tentohet rehabilitimi i regjimit gjenocidal të Serbisë, i cili, sipas tij, kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë ndërkombëtare. /Kosova.info/
