Hoxhaj: Burns, përkrahës i madh i pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë sot se vizita e drejtorit të CIA-së, William Burns, është një dëshmi e qartë që tregon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nuk flasin për Kosovën pa e vizituar atë dhe pa e trajtuar si një partner strategjik dhe të barabartë.

Hoxhaj theksoi se Burns ka një rol të rëndësishëm në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës që nga ditët e para të saj, duke qenë një përkrahës i madh i Kosovës gjatë viteve 2007-2008 përballë kundërshtimeve të fuqishme nga Vladimir Putin dhe Rusia.

Ai vlerësoi përkushtimin e Burns për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe përmbylljen e procesit të shtetndërtimit.

Gjithashtu, Hoxhaj tha se vizita e Burns në Kosovë, pas ndalesave në Bosnje dhe Serbi, tregon një momentum të rëndësishëm rajonal sa i përket sigurisë dhe përkushtimit amerikan.

“Përmbyllja e vizitës në Kosovë pas Bosnjës dhe Serbisë, tregon për një momentum rajonal sa i takon sigurisë dhe të përkushtimit amerikan, por një moment kthese për politiken e brendshme dhe te jashtme te Kosovës, nëse bashkëbiseduesit e tij në Kosovë e kanë kuptuar drejt qëllimin e vizitës dhe nëse do t’i nderojnë zotimet e marra për të rikthyer Kosovën në binarët e partneritetit me ShBA-në!”, ka shkruar ai. /Kosova.info/

Go to TOP