Hovenier në Kuvendin e Kosovës

Pas takimit me kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier është larguar nga Zyrat e Bashkimit Evropian dhe raportohet se është parë të hyjë në objektin e Kuvendit të Kosovës. 

Mëngjesin e sotëm, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.

Në mesin e tyre ka edhe njerëz me maska, e për të cilët Instituti Octopus ka ngritur shqetësimet se mund të ketë të gatshëm për sulme terroriste.

Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjesëtarëve të institucionit të sigurisë së Kosovës.

Po ashtu sot rreth orës 9:00 kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë. 

Go to TOP