Hoti akuzon Qeverinë në detyrë për shkelje ligjore: Projektbuxheti 2026 u dorëzua kundërligjshëm në Kuvend
Ish kryeminsitri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër pas shpërndarjes së Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026 në adresat zyrtare të deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të rëndë ligjore nga Qeveria në detyrë.
Hoti tha se Qeveria në detyrë ka tejkaluar kompetencat e saj duke e dorëzuar projektbuxhetin në Kuvend, ndërsa akuzoi edhe Kryetarin e Kuvendit se është bërë pjesë e shkeljeve ligjore duke e shpërndarë dokumentin tek deputetët.
“Sipas praktikës së deritanishme, Qeveria në detyrë mund ta përgatisë projektbuxhetin, por dorëzimi në Kuvend bëhet vetëm nga Qeveria e re, e zgjedhur nga Kuvendi,” ka theksuar Hoti.
Ai ka theksuar gjithashtu se projektligji është prezantuar në mbledhjen e Qeverisë nga një deputet dhe është dorëzuar në Kuvend nga një deputet tjetër, të cilët sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, po mbajnë në mënyrë kundërligjshme pozitat e ministrit dhe kryeministrit.
“Nuk e kuptoj çfarë duhet të ndodhë më shumë që organet e sundimit të ligjit të ndërhyjnë për të parandaluar këto shkelje dhe abuzime me resurset publike,” shtoi ai.
Në fund, Hoti kritikoi edhe Presidenten e vendit duke e akuzuar se ka qëndruar vazhdimisht në një linjë me, siç tha ai, “shkelësit e kushtetutës dhe ligjeve”.
“As ajo dhe as Kurti nuk e kanë hallin e qytetarëve. Halli i tyre është si të ruajnë pushtetin, të cilin po e mbajnë duke prodhuar kriza në shkelje të ligjit e kushtetutës,” përfundoi Hoti duke theksuar se këta janë politikanë që “mbijetojnë vetëm përmes krizave”. /Kosova.info/
