Hiqet përkohësisht bllokada për regjistrimin e automjeteve

Zyrtarë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) janë takuar me përfaqësues të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit për të diskutuar problemet me të cilat po përballen bizneset, veçanërisht ato që operojnë me vetura me qira, lizing, taksi dhe shërbime të transportit.

Në këtë takim është trajtuar çështja e pamundësisë për regjistrimin e automjeteve për shkak të gjobave të papaguara, problem ky që po pengon operimin normal të bizneseve të sektorit. Anëtarja e Bordit të DhTIK-së, znj. Aida Selimi – Shabani, shprehu shqetësimin e bizneseve lidhur me aplikimin e Nenit 89, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili kushtëzon regjistrimin e automjeteve me pagesën e të gjitha gjobave.

Sipas saj, kjo masë po shkakton pasoja të mëdha financiare për bizneset duke bllokuar flotat e tyre, pamundësuar ushtrimin e veprimtarisë dhe duke shkelur të drejtat themelore të pronësisë së personave fizikë dhe juridikë. Ajo vlerësoi gjithashtu se masa është joproporcionale dhe kontribuon në rritjen e automjeteve të paregjistruara në qarkullim.

Përfaqësuesit nga Agjencia e Regjistrimit Civil njoftuan se është marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të kësaj mase, deri në një zgjidhje të përhershme të çështjes. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë bëri të ditur se do të vazhdojë ta ndjekë nga afër këtë proces dhe të angazhohet për mbrojtjen e interesave të bizneseve. /Kosova.info/


Go to TOP