Haradinaj-Kurtit: E keni ndarë shoqërinë, po flitet se doni me ba llugë edhe procesin e dialogut

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ky i fundit e ka ndarë shoqërinë, po nxitë tema që po rrezikojnë tolerancën fetare por edhe identitetin kombëtar.
Kështu ka deklaruar Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ku ka shtuar se qeverisja e Kurtit, siç ka thënë kryetari i AAK-së, e ka qitë në gjunjë ekonominë e Kosovës.

“Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin: Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë; Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar; Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit; Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit; Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore”, ka thënë pos tjerash Haradinaj.

Po ashtu Haradinaj ka shtuar se qeverisja Kurti shtresën e mesme po e shndërron në kategori sociale.

Postimi i plotë:

Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim,

Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq.

Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin:

Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë;

Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar;

Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit;

Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit;

Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore;

Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale;

Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero;

Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katstrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.

Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.

Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit.

Go to TOP