Haziri: Kurti dhe ministrat po na vjedhin dritën, bukën e kripën – Era shtet kundërmon hajni

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen e qeverisjes së Kosovës nën drejtimin e Albin Kurtit, duke e akuzuar atë dhe kabinetin e tij për keqmenaxhim dhe përçmim ndaj interesave shtetërore. Sipas Hazirit, qeveria ka dështuar jo vetëm në politikën e brendshme, por edhe në diplomacinë ndërkombëtare, duke lejuar Serbinë të vazhdojë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Ai përmendi në veçanti moszbatimin e Marrëveshjes së Washingtonit, e cila ndalonte Serbinë nga lobimi për tërheqjen e njohjeve, duke theksuar se kjo marrëveshje u zëvendësua me një tjetër të diskutueshme, atë të Ohrit, mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Qeveria Kurti nuk e zbatoi Marrëveshjen e Washingtonit, por solli Marrëveshjen e Ohrit. Tani s’ka nevojë të parandalohet Serbia, sepse punën e saj po e bëjnë Kurti dhe ministrat e tij,” tha Haziri.

Ai shprehu zemërim për mënyrën se si qeveria po menaxhon rezervat shtetërore dhe burimet ekonomike të vendit, duke i cilësuar veprimet e fundit si vjedhje të hapur ndaj qytetarëve.

Haziri veçoi rastin e shitjes së energjisë përmes kompanisë serbe GEN dhe akuzat për tentativën e vjedhjes së pasurisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Dritën, bukën e kripën po na e vjedhin,” tha Haziri, duke akuzuar qeverinë për manipulim të popullit dhe për mashtrime të bëra gjatë fushatës elektorale.

Sipas tij, premtimi i qeverisë se do të sillte “erën e shtetit” është shndërruar në një erë hajnie dhe korrupsioni, që po e çon vendin drejt izolimit dhe falimentimit.

“Ata që e kundërshtuan dhe s’e deshën Republikën e 17 shkurtit, sot po e udhëheqin drejt falimentimit,” përfundoi Haziri, duke paralajmëruar se këto dështime do t’i kushtojnë shtrenjtë Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në ekonominë e brendshme. /Kosova.info/

Go to TOP