Kurti bën homazhe të varret e vëllezërve Bytyqi
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varret e vëllezërve Bytyqi, të cilët u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe njëkohësisht mungesë e vullnetit dhe gatishmërisë të shtetit serb për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.
”Vitet kalojnë, por pandëshkueshmëria dhe dhimbja për krimet e 25 vjetëve më parë të Serbisë në Kosovë, ende vazhdon. Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, të cilët ishin shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, u vranë nga aparati shtetëror gjenocidal serb në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës. Trupat e tre vëllezërve u zbuluan dy vjet më vonë, në një varrezë masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Vëllezërit Bytyqi janë dëshmia e qartë e krimeve të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë e mungesës së plotë të vullnetit dhe gatishmërisë së shtetit të Serbisë për të dhënë përgjegjësi për krimet e bëra dhe për të sjellë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”, ka shkruar Kurti. /Kosova.info/