Haxhiu: Zbulohen mbetjet mortore të tre personave të zhdukur në Prishtinë pas operacionit të gërmimit
Pas dy ditëve të operacioneve intensive të gërmimit dhe zhvarrimit në Prishtinë, ekipet mjekoligjore të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX, me mbështetjen e Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, kanë arritur të lokalizojnë mbetjet mortore të tre personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Mbetjet janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme dhe për procesin e identifikimit përmes analizave shkencore.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar këtë zhvillim duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të përkushtimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ajo gjithashtu ka falënderuar Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për mbështetjen e vazhdueshme në këtë proces të dhimbshëm por të domosdoshëm.
Operacionet e kërkimit pritet të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera në javët në vijim, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të ndriçuar fatin e qindra qytetarëve që ende figurojnë të zhdukur nga lufta. /Kosova.info/
