Zyrtarja e “Botanikës” në Prishtinë në arrest shtëpiak, dyshohet për përvetësim të mjeteve publike
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, ka njoftuar se me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar njëra nga të pandehurat me inicialet K.A., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, në bashkëkryerje, sipas nenit 418 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të pandehurat, në cilësinë e personave zyrtarë në Institucionin Parashkollor “Botanika” në Komunën e Prishtinës, kanë përvetësuar mjete financiare të cilat u ishin besuar për shkak të pozitave që mbanin. Këto veprime dyshohet se kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prishtinës.
Me kërkesë të Prokurorit të rastit, ndaj njërës nga të pandehurat është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ritheksuar përkushtimin e saj për luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimeve me fondet publike duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Kosova.info/
