“Harrohet ky përjetim” – Rrëfimi tronditës i aktivistes Neri Ferizi për lindjen në një spital publik

Aktivistja dhe publicistja Neri Ferizi ka ndarë një përjetim rrëqethës nga lindja e saj në një spital publik në Kosovë duke ngritur alarmin për trajtimin çnjerëzor të grave shtatzëna dhe mungesën e theksuar të ndjeshmërisë, profesionalizmit e kushteve elementare në sistemin shëndetësor.

Në një rrëfim të gjatë emocional, ajo përshkruan momentet e tmerrit që përjetoi që nga hyrja në sallë operacioni e deri te trajtimi pas lindjes, ku ndau dhomën me nëntë gra të tjera, pa ndihmë mjekësore, pa përkrahje dhe me një ndjenjë të thellë pasigurie.

“Më trajtuan si objekt, pa një fjalë qetësuese, pa shpjegim, me një ftohtësi çnjerëzore që më shokoi”, shkroi Ferizi duke përmendur edhe një moment kur një infermiere iu drejtua me përbuzje ndërsa kërkonte kontakt njerëzor në sallën e lindjes: “Çka po m’i hapë sytë bre qashtu?”

Ajo theksoi se nuk kishte asnjë komunikim me të afërmit jashtë sallës dhe se i dashuri i saj nuk ishte lajmëruar për lindjen, përkundër faktit se të dhënat e tij ndodheshin në dosjen mjekësore.

Pasi u transferua në repart, Ferizi përshkruan një realitet të rëndë: mungesë e theksuar ndihme për gratë lehona, mungesë privatësie dhe një heshtje kolektive që mbizotëronte, si një mënyrë për të shmangur keqtrajtimin nga stafi. “I vetmi shpëtim ishte solidariteti mes grave, që ndanin dhimbjen dhe ndihmonin njëra-tjetrën”, shkroi ajo.

Përmes këtij rrëfimi, Ferizi kritikoi fuqishëm gjendjen e sistemit shëndetësor publik në vend duke e quajtur atë “ferrin e Dantes”, ku përkushtimi, ndjeshmëria dhe përgjegjësia mungojnë.

“Harrohet ky përjetim, më thanë disa nëna aty. Por jo -nuk harrohet. Dhe nuk duhet të harrohet. Shteti duhet të na trajtojë me dinjitet. Nuk na duhen shtesa kur tmerrohemi – na duhen kushte të mira dhe trajtim njerëzor”, përfundoi Ferizi duke kërkuar ndryshim rrënjësor dhe përgjegjësi institucionale për realitetin që, sipas saj, shumë gra e kanë normalizuar në heshtje. /Kosova.info/


Go to TOP