Haradinaj: Loja me moskonstituivin e Kuvendit është bërë e turpshme – kërkojmë ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth moskonstituivit të Kuvendit të Kosovës duke e cilësuar atë si një proces të turpshëm dhe të dëmshëm për vendin. Ai ka theksuar se seancat e përsëritura çdo 48 orë, pa asnjë vendim konkret, janë shndërruar në një model të papjekurisë shtetërore.
“Loja me moskonstituivin e Kuvendit është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Dëmet që po shkaktohen janë politike dhe ekonomike,” u shpreh Haradinaj.
Ai kritikoi ashpër ndryshimin e mënyrës së votimit gjatë procesit duke e quajtur këtë veprim si një shkelje të rëndë të Kushtetutës, që sipas tij është diktuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Në këtë kontekst, Haradinaj bëri të ditur se Grupi Parlamentar i AAK-së, me përkrahjen e deputetëve të LDK-së dhe PDK-së, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar situatën ligjore dhe për të ofruar një zgjidhje nga ky ngërç institucional.
“E vetmja derë që na ka mbetur është Gjykata Kushtetuese. Kemi kërkuar që ajo të shqyrtojë shkeljet dhe të japë udhëzim për dalje nga kjo situatë. Deri atëherë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndalohen këto seanca qesharake e pa asnjë produkt,” shtoi Haradinaj.
Situata e zvarritur në Kuvendin e Kosovës ka ngjallur reagime të shumta nga subjektet politike, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me vëmendje për të përcaktuar rrugën e mëtejme institucionale të vendit. /Kosova.info/
