Rama: Prishtina po ndërton ura bashkëpunimi me qytete nga vende që ende s’e kanë njohur Kosovën
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se po zhvillon takime me krerë të qyteteve ndërkombëtare nga vende që ende nuk e kanë njohur formalisht shtetin e Kosovës duke avancuar përmes asaj që e quan “diplomaci urbane”.
Përmes një njoftimi publik, Rama bëri të ditur se gjatë ditës ka takuar Kryetarin e qytetit të Tangierit në Marok, z. Mounir Lymouri, me të cilin ka diskutuar sfidat e përbashkëta urbane si dhe mundësitë për bashkëpunim konkret mes dy qyteteve.
“Ishte veçanërisht domethënës interesimi i tyre për ta përfshirë Prishtinën në platformat dhe asociacionet ndërkombëtare ku Tangier tashmë është pjesë apo ka edhe rol themelues,” shkroi Rama.
Krahas kësaj, ai bëri të ditur se është takuar edhe me Kryetarin e Nikozisë, z. Charalambos Prountzos nga Qipro, me të cilin ka biseduar për rëndësinë e dialogut ndërqytetas dhe bashkëpunimit për sfida të përbashkëta urbane.
Rama u shpreh mirënjohës për qasjen pozitive të këtyre qyteteve ndaj Prishtinës dhe theksoi se ftesat për bashkëpunim e përfshirje në rrjete ndërkombëtare janë një dëshmi e qartë se qytetarët e kryeqytetit po fitojnë vendin që e meritojnë në skenën globale: qytetarë të botës. /Kosova.info/
