Haradinaj: Do të krijojmë mjedis të favorshëm për bizneset, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar Obiliqin, ku prezantoi disa aspekte të programit të tij politik. Gjatë vizitës, ai ndau përvojat nga vendet që vizitoi.
“Vizitën e nisa në kompaninë ‘Izolimi’ në Milloshevë, ku z. Halit Rama na shfaqi me krenari fabrikën e reciklimit dhe projektet e reja. Kjo ndërmarrje është një model i përparimit që po ndryshon industrinë tonë. Më pas, në Zonën Industriale të Llazarevës, u takuam me z. Gëzim Zhdrella, pronarin e Kompanisë ‘Termopan’. Ambiciet e tij për zgjerimin e prodhimit të dyerve dhe dritareve për eksport janë një shembull i madh i potencialit të biznesit vendas,” u shpreh Haradinaj.
Ai theksoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon krijimin e një klime të favorshme për bizneset. Një nga masat e propozuara për këtë është reduktimi ose heqja e disa taksave, përfshirë akcizën për naftën e përdorur në makineritë bujqësore dhe industriale.
“AAK është e angazhuar në krijimin e një mjedisi të volitshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ne do të zbatojmë një sistem tatimor progresiv që ul barrën për ata që fitojnë më pak dhe i detyron ata që fitojnë më shumë të kontribuojnë më shumë. Kjo do të sigurojë drejtësi sociale dhe rritje ekonomike. Gjithashtu, planifikojmë të heqim akcizën për naftën që përdoret në sektorët bujqësor dhe industrial për të stimuluar prodhimin lokal,” tha Haradinaj.
Duke vazhduar vizitën në fermën në Siboc, të menaxhuar nga Afrim Mexhuani, një ish-pjesëtar i UÇK-së, Haradinaj theksoi rëndësinë e sektorit bujqësor për ekonominë vendase dhe nevojën për përparim në këtë fushë.
“Bujqësia është një shtyllë e ekonomisë sonë, dhe ne jemi të vendosur ta përmirësojmë atë. Do të rrisim subvencionet për fermerët dhe do të ofrojmë mundësi financimi si kredi me kushte të lehta. Investimet do të përfshijnë modernizimin e infrastrukturës bujqësore dhe ndërtimin e liqeneve për sigurimin e ujit të nevojshëm,” premtoi Haradinaj.
Ai gjithashtu përmendi eliminimin e barrierave tregtare për produktet bujqësore dhe promovimin e agroturizmit përmes programit “Eksploro Fermerin”, që synon të krijojë mundësi të reja të të ardhurave për fermerët.
