Hapja e urës në Mitrovicë: Për disa “rritje e tensioneve”, për të tjerët “gjë e mençur”

Ndërsa paralajmërohet hapja e mundshme e urës kryesore mbi lumin Ibër, që ndan Mitrovicën në pjesën jugore dhe veriore, Bashkimi Evropian thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Lista Serbe, partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, thonë se ura nuk mund të hapet pa pëlqimin e komunitetit serb. Por, qytetarët e Mitrovicës janë të ndarë për këtë çështje.

Në seancën e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut më 31 maj, gjatë diskutimeve për pikën “të ndryshme”, pritet të flitet edhe për çështjen e zbatimit të vendimit për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Kështu i tha Radios Evropa e Lirë kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin.

Sipas tij, në diskutim do të jetë “situata e sigurisë për hapjen e urës”, e cila që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare, dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende.

Aktualisht, kryetar i Mitrovicës së Veriut është Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Uglanin thotë se shumica e këshilltarëve komunalë, aktualisht, nuk janë për “rritjen e tensioneve”, edhe pse, vitin e kaluar, e kanë mbështetur vendimin për hapjen e urës kryesore për trafik.

“Tensionet tashmë janë të larta… Nuk varet më nga Kuvendi Komunal, varet nga organet e sigurisë se si do të veprojnë”, thotë Uglanin.

Sipas tij, është e rëndësishme të krijohet një “klimë paqeje dhe tolerance”, sepse qytetarët e Mitrovicës së Veriut, nga të gjitha komunitetet, “ka vite që jetojnë nën tension”.

Ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në Veriore dhe atë Jugore.
Ura mbi lumin Ibër që ndan Mitrovicën në Veriore dhe atë Jugore.

Tensionet në veri të Kosovës vazhdojnë që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.

Në periudhën që ka pasuar, Prishtina zyrtare i ka zëvendësuar pjesëtarët e policisë nga komuniteti serb me pjesëtarë të komuniteteve të tjera, kryesisht nga ai shqiptar. Po ashtu, ka mbajtur zgjedhjet lokale, të cilat janë bojkotuar nga qytetarët serbë – gjë që u ka mundësuar, pastaj, kandidatëve shqiptarë të marrin pushtetin.

në ndodhur edhe disa kriza dhe incidente, përfshirë vrasjen e një polici shqiptar nga një grup i serbëve të armatosur në fshatin Banjskë në veri, si dhe pakënaqësinë e popullatës lokale me vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta nxjerrë dinarin serb jashtë përdorimit.

Për hapjen e urës në Mitrovicë foli të enjten për televizionin Teve1 edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani.

Ai tha se ura mbi Ibër “do të hapet shumë shpejt” dhe se është duke u diskutuar me eprorët se si të bëhet kjo.

Elshani nuk deshi të komentonte për këtë çështje për Radion Evropa e Lirë, por tha vetëm se policia e rajonit verior është aty për t’i zbatuar vendimet e institucioneve të Kosovës.

Ai, po ashtu, vlerësoi se situata e sigurisë në veri të Kosovës është “delikate”, por, sipas tij, shumë më e mirë nëse krahasohet me periudhën paraprake.

Lista Serbe: Ura nuk mund të hapet pa pëlqimin e serbëve

Lista Serbe e lidhi hapjen eventuale të urës mbi Ibër me Qeverinë e kryeministrit Kurti.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, e cila gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – tha përmes një komunikate për media se hapja e urës në Mitrovicë të Veriut për automjete, është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Sipas saj, një veprim i tillë nuk mbështetet as nga pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët janë shumicë në veri të Kosovës.

Ajo, po ashtu, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse hapja e urës në Mitrovicë të Veriut po shqyrtohet në nivel të institucioneve qendrore, por nuk mori përgjigje.

Çfarë thonë qytetarët në veri dhe në jug të urës së Ibrit?

Pjesëtarë të komunitetit serb dhe shqiptar nga veriu dhe jugu i Mitrovicës ndajnë pikëpamje të ndryshme për mundësinë e hapjes së urës kryesore mbi Ibër.

Për serbët, një hap i tillë do të çonte në “rritje të tensioneve”, ndërsa për shqiptarët do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.

Vasa nga Mitrovica e Veriut thotë se ura kryesore në qytet nuk bën të hapet “assesi”, ndërsa arsye për këtë beson se është situata e keqe e sigurisë.

“Do të kalonin disa prej atyre kokave të nxehta. Le të mbetet zonë këmbësorësh dhe kaq”, thotë Vasa.

“Nuk duhet hedhur benzinë në zjarr”, thotë Nemanja, po ashtu nga Mitrovica e Veriut. Sipas tij, hapja e urës për trafik do të kontribuonte vetëm në rritjen e tensioneve etnike.

Në anën tjetër, Ismaili nga Mitrovica e Jugut beson se “do të ishte gjë e mençur” hapja për trafik e urës kryesore mbi Ibër.

“Le të jetë si më parë. Pse njerëzit të mundohen e të shkojnë rrotull? Politika le ta bëjë punën e saj, populli le të jetojë”, thotë Ismaili.

Feridja, e cila gjithashtu jeton në anën jugore të urës, beson se hapja e saj për trafik do të kontribuonte në përafrimin e komunitetit shqiptar dhe atij serb.

“Që të gjithë të jenë të kënaqur, edhe shqiptarët, edhe serbët… ashtu siç kemi jetuar më parë”, shprehet ajo.

BE: Çështja e hapjes së urës të zgjidhet me dialog

Ura e Ibrit apo “Rivitalizimi i Urës” ka qenë edhe temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Të dyja palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018.
Puna për rivitalizimin e urës ka përfunduar në qershor të vitit 2018.

Zyra e BE-së në Kosovë nuk u përgjigj direkt në pyetjet e Radios Evropa e Lirë nëse është në dijeni për planet për hapjen e urës për qarkullim dhe nëse tani është koha e duhur për një gjë të tillë.

Në përgjigje thuhet se kjo çështje ka qenë subjekt i dy marrëveshjeve të arritura nga Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut, më 2015 dhe më 2016, dhe se ura është ende e mbyllur për qarkullim, pavarësisht përpjekjeve të BE-së që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura.

Aty theksohet, po ashtu, se çështja e hapjes së urës ka të bëjë me dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe, për këtë arsye, të gjitha vendimet duhet të merren në kuadër të dialogut – me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë.

“BE-ja vazhdon t’u bëjë thirrje palëve që t’i zbatojnë pa vonesë të gjitha marrëveshjet e mbetura, të cilat janë arritur në kuadër të dialogut – përfshirë edhe Marrëveshjen për Urën – pa asnjë parakusht apo ndërlidhje me çështje të tjera. BE-ja, gjithashtu, u bën thirrje të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues, që mund ta kërcënojë qëndrueshmërinë në terren”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së për REL-in.

Në prill të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut për hapjen e urës mbi Ibër, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Kurti, “dëshiron konflikte me çdo kusht”. Vuçiq nuk ka ofruar prova për këto pretendime.

Ura kryesore mbi Ibër është, gjithashtu, simbol i barrikadave – e para prej të cilave është ngritur në vitin 2011 nga serbët lokalë, në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri.

Në vitin 2014, ato barrikada janë zëvendësuar me gardhe betoni e me pemë, të cilat autoritetet vendase i kanë quajtur “Park i Paqes”. Ky park është hequr në vitin 2016 – pas së cilës gjë është menduar që ura të hapet për qarkullim.

"Parku i Paqes'
“Parku i Paqes’

Pas kësaj, udhëheqja lokale ka nisur të ndërtojë një “mur” nga ana veriore e urës, i cili më pas është shembur.

Në afërsi të kësaj ure, shpeshherë, mbahen protesta të ndryshme, që organizohen nga përfaqësuesit politikë të serbëve, për të shprehur pakënaqësi me vendimet apo politikat e Qeverisë në Prishtinë.

Go to TOP