Hamza takon zyrtarët e qeverisë gjermane

Kandidati i PDK per kryeministër Bedri Hamza në turrin e tij të takimeve jashtë vendit pas SHBA-së dhe Francës si pikë ndalese kishte Gjermaninë ku është takuar me bashkëpunëtorin e kancelarit Olaf Scholz dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Gjermania është një partnere shumë e rëndësishme e Kosovës, e cila na ka mbështetur në rrugëtimin e lirisë, të pavarësisë dhe të shtetndërtimit”, ka shkruar ai.

Në Zyrën e Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, Hamza u takua me z. Alexander Wallau, i cili është Përgjegjës për Marrëdhënie Dypalëshe. Ndërsa, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ai u takua me z. Michael Reiffenstuel, i cili është Drejtor për Evropën Juglindore.

Në të dyja takimet ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

“Angazhimi im si kryeministër i ardhshëm do të jetë i përditshëm për jetësimin e aspiratës evropiane të popullit tonë”, tha ai.

Hamza i njoftoi bashkëbiseduesit Z. Wallau dhe z. Reiffenstuel për vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe për kushtet që do t’i krijojmë për investitorët e huaj, përfshirë investitorët gjermanë. /Kosova.info/

Go to TOP