Hamza: Kurti na ofroi kryetarin e Kuvendit në këmbim të pozitës së nënkryetarit që kemi, ofertë joserioze

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se kjo parti e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në procesin e përzgjedhjes së presidentit të vendit duke fajësuar pushtetin për mungesë vullneti politik dhe serioziteti institucional.

Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza theksoi se stabiliteti institucional ka qenë prioritet për partinë, por sipas tij, qasja e Albin Kurti dhe qeverisë aktuale ka pamundësuar arritjen e një zgjidhjeje.

Ai bëri të ditur se komunikimet me Kurtin kanë qenë joformale, kryesisht përmes WhatsApp-it dhe pa ftesa zyrtare. Hamza shtoi se PDK ka insistuar që presidenti të zgjidhet nga një kandidat i propozuar nga kjo parti, por një gjë e tillë nuk është pranuar.

Duke folur për ofertën e fundit nga Kurti, Hamza zbuloi se PDK-së i është propozuar posti i kryetarit të Kuvendit në këmbim të votave për presidentin duke e cilësuar këtë si një ofertë joserioze dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.

Sa i përket mundësisë së zgjedhjeve, ai theksoi se kjo nuk është çështje preference politike, por obligim për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Vendimi i Kushtetueses është i qartë edhe për afatet dhe ne insistojmë që zgjedhjet të mbahen brenda tyre”, u shpreh Hamza.

Aktualisht kanë mbetur edhe nëntë ditë deri në përfundimin e afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri. /Kosova.info/


Go to TOP