Ermal Sadiku kritikon Kurtin: Problemi nuk është Greqia, por kontradiktat mes fjalëve dhe veprimeve
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj pushimeve të kryeministrit Albin Kurti në Greqi duke thënë se problemi nuk është destinacioni i pushimeve, por, sipas tij, mospërputhja mes narrativës që ka ndërtuar Kurti dhe veprimeve të tij.
Sadiku tha se edhe vetë ka bërë pushime në Greqi dhe do t’i bëjë sërish duke theksuar se kjo nuk përbën problem në vetvete.
“Pushimi në Greqi, si koncept, nuk është problem. Por, njësoj si te importet prej mbi 1.4 miliardë eurosh nga Serbia, thelbi nuk është pushimi. Thelbi është tregimi i rremë që është ndërtuar rreth figurës së tij, kryesisht nga vetë ai”, ka shkruar Sadiku.
Ai shtoi se Kurti ka folur për më shumë se 20 vjet për bashkim kombëtar, por, sipas tij, nuk ka ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.
“Nuk është problemi Greqia. Problemi është profili i ndërtuar mbi mite, kontradikta dhe një narrativë që nuk përputhet me veprimet”, është shprehur deputeti i LDK-së. /Kosova.info/
