Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR
Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve të saj në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR), deri në 200 pjesëtarë, raportojnë mediat kroate nga samiti i NATO-s në Ankara.
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, deklaroi se Zagrebi po shqyrton rritjen e kontingjentit kroat në Kosovë, duke theksuar se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet një nga çështjet kyçe të sigurisë.
“Planifikojmë ta rrisim numrin e ushtarëve kroatë deri në 200, aq sa e lejon vendimi i Parlamentit të Kroacisë”, tha Anushiq.
Ai shtoi se, megjithëse brenda NATO-s po shqyrtohet mundësia e zvogëlimit të numrit të përgjithshëm të trupave në KFOR, Kroacia konsideron se prania e Aleancës në rajon duhet të mbetet e fuqishme.
“Gjithmonë theksoj rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe nevojën që NATO të mbetet fuqishëm e pranishme në këtë rajon”, u shpreh ai.
Sipas mediave kroate, Anushiq tha gjithashtu se Kroacia tashmë ka përmbushur një nga objektivat kryesore të NATO-s, duke ndarë më shumë se 1.5 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) për infrastrukturën e sigurisë, ndërsa për mbrojtjen në tërësi shpenzon 2.1 për qind të BPV-së.
Ministri kroat theksoi se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën dhe se industria kroate e mbrojtjes do të ketë rol më të madh në zhvillimin e dronëve, në kuadër të programit të ri të NATO-s për mbrojtjen kundër dronëve.
Ai njoftoi gjithashtu se Kroacia do të marrë pjesë në projektin e përbashkët të NATO-s për transportin ajror ushtarak, ndërsa ritheksoi se Zagrebi po i përmbush të gjitha detyrimet që ka marrë brenda Aleancës. / Burimi: vjesti.hrt.hr
