Haxhiu: Supremja refuzoi kërkesën për rinumërim, por beteja për çdo votë nuk përfundon

Kandidati i PDK-së për deputet, Bekim Haxhiu, ka njoftuar se Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e tij për rinumërimin e votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së.

Haxhiu tha se e respekton vendimin e Gjykatës Supreme si institucion, por nuk pajtohet me të duke theksuar se ankesa e tij është bazuar në raportin zyrtar të Sekretariatit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas tij, raporti dëshmon se gjatë rinumërimit të 185 vendvotimeve janë konstatuar gabime në të gjitha 38 komunat, me një ndryshim absolut prej 10.71 për qind të votave të PDK-së, përkatësisht mbi 557 vota të regjistruara gabimisht nga 5,201 vota të rinumëruara.

Ai theksoi se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që fitoi mandatin është vetëm 102 vota duke vlerësuar se në një listë të hapur çdo votë ka peshë dhe çdo gabim mund të ndikojë në renditjen përfundimtare.

Haxhiu u shpreh se certifikimi i rezultatit pa një verifikim të plotë cenon besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në demokraci, ndërsa premtoi se do të vazhdojë të kërkojë që çdo votë të numërohet saktë, drejt dhe me ndershmëri.

Në fund, ai falënderoi 20,541 qytetarët që e mbështetën me votë duke theksuar se vota e qytetarëve është e shenjtë dhe duhet të respektohet e të numërohet me saktësi. /Kosova.info/


Go to TOP