PSV zyrtarizon transferimin e Sven Mijnans
Kampioni në fuqi i Holandës, PSV Eindhoven, ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit ofensiv Sven Mijnans nga AZ Alkmaar.
Futbollisti njëzet e gjashtë vjeçar ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me klubin nga Eindhoveni, ndërsa mediat holandeze raportojnë se AZ ka përfituar rreth katërmbëdhjetë milionë euro nga kjo marrëveshje.
Pas prezantimit, Mijnans është shprehur i lumtur për hapin e ri në karrierën e tij.
“Ky është hapi i duhur në karrierën time. PSV është një klub i madh me një vizion të qartë, drejtim të fortë dhe kushte të shkëlqyera. Këtu lufton për trofe çdo sezon. E ndien dëshirën e të gjithëve për ta fituar titullin e katërt radhazi dhe dua të jap kontributin tim. Gjithashtu, të luaj në Ligën e Kampionëve ka qenë një ëndërr e imja që nga fëmijëria”, ka deklaruar ai.
Ky transferim kishte qenë pranë realizimit edhe në verën e vitit 2025, por atëherë AZ nuk lejoi largimin e lojtarit.
Mijnans i ishte bashkuar AZ Alkmaar në janar të vitit 2023 nga Sparta Rotterdam. Gjatë tri viteve e gjysmë me skuadrën nga Alkmaari, ai zhvilloi 155 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dyzet e dy gola dhe duke dhuruar njëzet e shtatë asistime.
