Hamiti: Kurti pranoi më shumë se Asociacionin dhe e futi Kosovën në sanksione të rënda të BE-së
Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe Qeverinë e tij lidhur me Dialogun me Serbinë, Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, si dhe pasojat politike dhe ndërkombëtare që, sipas tij, i janë shkaktuar Kosovës.
Hamiti ka theksuar se Kurti, së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje dhe partnerët e koalicionit, kanë marrë mandat qytetar me rreth 50 për qind të votave për ta formuar Qeverinë e re dhe për ta zbatuar marrëveshjen e arritur në dialog në vitin 2023. Sipas tij, kjo marrëveshje përbën marrëveshjen më të keqe në gjithë procesin e stërzgjatur të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai kujton se Kurti, sa ishte në opozitë, e kundërshtonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa në pushtet ka pranuar, siç shprehet Hamiti, “më shumë se Asociacionin”. Sipas tij, koncepti i vetëmenaxhimit për serbët, i përfshirë në marrëveshje, nga njohësit e Kushtetutës interpretohet si autonomi politike-territoriale, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me karakterin unitar të Republikës së Kosovës dhe si shkelje e Kushtetutës.
Hamiti ka kritikuar edhe mënyrën se si Qeveria Kurti e ka menaxhuar raportin me Bashkimin Evropian duke thënë se politikat e saj të mbrapshta çuan në vendosjen e Kosovës nën një regjim të ashpër sanksionesh nga BE-ja që nga mesi i vitit 2023. Ai vlerëson se këto masa kanë shkaktuar dëme të mëdha politike dhe ekonomike për vendin.
Në fund, Hamiti ka ironizuar faktin se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij e kanë festuar si sukses paralajmërimin e BE-së për nisjen e heqjes graduale të sanksioneve pas dy vitesh e gjysmë duke nënvizuar se kjo nuk mund të konsiderohet arritje, por pasojë e drejtpërdrejtë e gabimeve të vetë Qeverisë. /Kosova.info/
