Hajdari: CEFTA po e afron Kosovën drejt tregut të përbashkët të BE-së
Ministrja në detyrë e Industrisë, e Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari, deklaroi se CEFTA duhet të shërbejë si platformë që ndihmon të gjitha vendet e rajonit të përputhen me standardet e Bashkimit Evropian. Ajo foli gjatë ngjarjes “Java e CEFTA-s 2025 – Tregtim i Përbashkët, Drejt Evropës”, ku theksoi se Kosova, gjatë kryesimit të saj, është fokusuar në zbatimin e masave të reja të aprovuara nga CEFTA, të cilat synojnë integrimin ekonomik brenda tregut të përbashkët evropian.
Hajdari tha se puna e institucioneve kosovare ka qenë e orientuar drejt përmirësimit të kuadrit rregullator, ndërtimit të kapaciteteve dhe heqjes së barrierave që pengojnë bizneset. Sipas saj, kryesimi i Kosovës ka vendosur theks të veçantë në avancimin e tranzicionit digjital dhe atij të gjelbër, si dhe në forcimin e zinxhirit të vlerës rajonale për t’u afruar me atë evropian.
“Kemi pasur një kryesim aktiv, të përqendruar në zbatimin e vendimeve dhe prioriteteve të CEFTA-s, si dhe në përmbushjen e masave të planit të tregut rajonal të përbashkët, që përbën shtyllën e dytë të planit të rritjes së BE-së”, u shpreh Hajdari. Ajo e cilësoi planin e rritjes së BE-së si një mundësi të re për Kosovën dhe për vendet e rajonit për t’u qasur gradualisht në pjesë të tregut unik evropian.
Drejtoresha për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore, Valentina Superti, theksoi se BE mbetet e përkushtuar në mbështetjen e CEFTA-s, por paralajmëroi se progresi kërkon përgjegjësi dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Ajo vuri në dukje se pavarësisht sfidave të vitit të kaluar, janë miratuar një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh dhe rezultate konkrete. Superti shtoi se kryesimi i ardhshëm i Shqipërisë pritet të kontribuojë në rritjen e konkurrencës rajonale.
Ndërkaq, Drejtoresha e Sekretariatit të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, prezantoi të dhënat mbi rritjen e tregtisë në kuadër të marrëveshjes, duke theksuar se zgjerimi ka arritur nga 44% në mbi 70% ndërmjet palëve, ndërsa rreth 70% e tregtisë së vendeve të CEFTA-s mbetet e orientuar drejt BE-së. Ajo shtoi se interesimi i ekspertëve ekonomikë është rritur mbi 120% gjatë dhjetë viteve të fundit.
Java e CEFTA-s është shoqëruar edhe me panele diskutimi, ku është debatuar për rolin e marrëveshjeve rajonale në kohë pasigurie dhe për transformimet e modeleve tregtare globale. /Kosova.info/
