Guvernatori Ismaili takime me zyrtarë të FED-it në Nju-Jork, diskutohet thellimi i bashkëpunimit dhe fushat me interes

Një delegacion i nivelit të lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), kryesuar nga guvernatori Ahmet Ismaili, Zëvendësguvernatori Fusha, koordinatorja për Bashkëpunim Ndërkombëtar Abazi dhe shefi i Kabinetit, Zyfliu, është takuar në Uashington D.C. me zyrtarë të lartë të Bankës së Rezervës Federale (Banka Qendrore e ShBA-së) të Nju-Jorkut.

Të udhëhequr nga Matthew Nemeth, zëvendëspresident dhe drejtor i Shërbimeve të Llogarive të Klientit dhe Phatak, drejtues i Politikave dhe Strategjive Ndërkombëtare me ekipin e tyre.

Sipas BQK-së, takimi kishte për qëllim mirënjohjen dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy bankave qendrore.

“Në takimin e zhvilluar me ekipin e FED-it të New York-ut delegacioni i BQK-së nënvizoi bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet dy bankave qendrore, duke përfshirë programet e ngritjes së kapaciteteve në mbështetje direkte që nga themelimi i BQK-së”, thuhet në njoftim.

Delegacioni ka përmendur përgjegjësinë e BQK-së për menaxhimin e të gjitha rezervave në dollarë amerikanë (USD) me Rezervën Federale dhe theksoi rëndësinë e marrëdhënieve bankare korrespondente ndërmjet dy institucioneve.

Po ashtu, guvernatori Ismaili shprehu përkushtimin e BQK-së për të mbajtur lidhje të forta me FED-in, duke njohur rolin e saj kryesor në asistencën e menaxhimit të rezervës ndërkombëtare dhe partneriteteve strategjikë, duke përfshirë praktikat më të mira për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.

“Këto angazhime vënë në pah përkushtimin e BQK-së për të nxitur partneritete të qëndrueshme me akterët kryesorë ndërkombëtarë, duke avancuar më tej misionin e institucionit për promovimin e stabilitetit financiar dhe ndikimin e qëndrueshëm në ekonomi, pasi ne vlerësojmë partneritetin strategjik ndërmjet dy kombeve dhe institucioneve ”, thuhet më tutje në njoftimin e BQK-së.

Sipas njoftimit, ky takim dypalësh është mbajtur gjatë qëndrimit të delegacionit të BQK-së në Uashington D.C. për takimet pranverore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bankën Botërore (BB), si dhe institucionet kryesore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /Kosova.info/

Go to TOP