Graçanicë, e godasin me veturë e pastaj edhe e vjedhin
Të martën në Graçanicë një person ka raportuar që është goditur me veturë dhe më pas është vjedhur nga po të njëjtit njerëz që ia kishin dëmtuar veturën.
“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa kishte qenë duke shkuar në bankë për t’i deponuar paratë e pazarit ditor me veturën e tij, një veturë tjetër e kishte goditur prapa veturën e tij dhe i kishte shkaktuar dëme të vogla materiale”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.
“Në atë veturë kishin qenë dy persona dhe viktimës i kishin kërkuar të skajohet skaj rrugës dhe të bisedonin për kompensim dëmi”.
“Viktima derisa kishte qenë duke biseduar me drejtuesin e asaj veture, tjetri person ia kishte hapur derën e veturës së viktimës dhe ja kishte vjedhur një shumë të parave në euro dhe më pas të dy personat ishin larguar me veturë në drejtim të panjohur”.
Sipas policisë, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po e hetojnë rastin teksa edhe prokurori tashmë është njoftuar me rastin.
