Gjyshata e Kosovës mbështet krijimin e shtetit bektashi – një hoxhë dhe një historian e quajnë ide të dëmshme

Gjyshata Bektashiane e Kosovës përkrah idenë që ky komunitet ta ketë shtetin e vetë aty ku ndodhet Kryegjyshata Botërore.

Propozimi është shpalosur kohë më parë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por kjo ide është e kahershme, ka thënë për emisionin MAT, kryegjyshi botëror i bektashinjve, Edmond Brahimaj.

“Kemi kërkuar Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës. Ky e plotësoi këtë dëshirë, por nuk e ka përfunduar se duhet të japë dekretin”, është shprehur Brahimaj.

Dervishi i Teqesë së Gjakovës, Rrauf Radoniqi, ka thënë se ata përkrahin këtë propozim.

“Ne kemi kryegjyshatën, e kemi kryegjyshin botëror, kështu që ne jemi me kryegjyshatën, si vendos kryegjyshata ne ia bëjmë aminin”.

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Bahri Sejdiu, e cilëson idenë si përçarëse ndër shqiptarë, kurse profesori i historisë, Muhamet Mala vlerëson se shteti bektashian nuk do t’i ndihmojë as Shqipërisë dhe as këtij komuniteti fetar.


Go to TOP