Dënimi 13 mijë euro për shpenzimet e Prindonit, Schwarz: S’kemi mjaftueshëm staf që t’i ndajmë veç e veç

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur në një konferencë për media për gjobën prej 13 mijë euro ndaj dikasterit që ajo e udhëheq nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.

Kjo agjenci, ka konstatuar se MPJD-ja nuk ka ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019-shkurt 2022.

Në arsyetimin e saj, Schwarz ka thënë se nuk bëhet fjalë për mostransparencë, por sipas saj, ministria nuk ka shifra të tilla për shpenzime individuale të diplomatëve, por vetëm për shpenzimet e misionit.

Madje, ministrja Schwarz është shprehur se nuk kanë as staf të mjaftueshëm për ta bërë këtë.

“Mund të ju them vetëm se kemi pasur kërkesë për shpenzime individuale për një diplomat të caktuar. MPJD-ja në sistem shpenzimet e misioneve nuk i ka të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitete sa i përket personelit momentalisht, prandaj reforma në këtë institucion është shumë e nevojshme për t’i ndarë shpenzimet veç e veç”, është shprehur kryediplomatja.

Tutje, ajo ka bërë të ditur se shumë shpejt MPJD-ja do t’i publikojë të gjitha shpenzimet, duke filluar nga ato të kabinetit, pasi vendimi politik është marrë, ndërsa tani janë në aspektin e realizimit teknik.

“Nuk kemi interesim t’i fshehim shpenzimet, ndaj kemi lutur Departamentin e Financave që t’i përgatis për publikim të gjitha shpenzimet e së kaluarës edhe ato aktualet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik për publikimin e shpenzimeve është marrë. Jemi të ndërgjegjshëm, shpenzimet tona janë të arsyeshme dhe shumë më të vogla se në të kaluarën”, ka vazhduar Gërvalla.

Go to TOP