Gërvalla: Mbështetja mes demokracive, thelbësore për triumf mbi autokracitë

Besimi në demokraci, solidariteti mes demokratëve dhe një qasje e qartë për mbështetje dhe parandalim ndaj agresorëve janë elementet që do ta forcojnë të ardhmen demokratike të Evropës dhe do të pengojnë përhapjen e ekstremizmit dhe populizmit, të cilat mund të kërcënojnë të ardhmen demokratike të këtij kontinenti. Kështu theksoi zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në Forumin e Lartë për të Ardhmen e Demokracisë, në Vilnius të Lituanisë.

Ajo në këtë forum po merr pjesë me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, njofton MPJD.

Gjatë fjalimit të saj, ministrja Gërvalla përmendi gjithashtu rëndësinë e fitores së Ukrainës ndaj agresionit të Rusisë duke paralajmëruar për pasojat e çdo kompromisi të mundshëm.

“Çdo zgjidhje tjetër kompromisi është receta për luftën e ardhshme në Baltik, në Poloni ose në Ballkanin Perëndimor, ku kemi një përfaqësues të Putinit dhe Rusisë, që sulmoi vendin tim në shtatorin e kaluar me të njëjtën retorikë, me skemën e Putinit, të njëjtat fjalë, të njëjtin fjalor që Putini ka përdorur në Ukrainë”, tha Gërvalla. /Kosova.info/

Go to TOP