Gazetari Vehbi Kajtazi zbulon pajisje përgjimi në veturë: kërkesa për hetim nga Prokuroria Speciale dhe reagime për sigurinë e gazetarëve

Gazetari hulumtues Vehbi Kajtazi ka zbuluar sot një pajisje GPS të dyshimtë të ngjitur në pjesën e pasme të veturës së tij, gjatë një kontrolli rutinë në servis. Pajisja, e cila përmban një SIM kartë dhe internet, është marrë për ekzaminim nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Kajtazi, i njohur për investigimet e tij mbi korrupsionin dhe keqpërdorimin e pushtetit, ka kërkuar që rasti të hetohet nga Prokuroria Speciale dhe që avokatët e tij të jenë të pranishëm gjatë procesit të ekzaminimit.

“Unë tashmë nuk ndjehem i sigurt, ndonëse nuk ua kam frikën,” deklaroi ai, duke vënë në dukje shqetësimet për sigurinë juridike dhe fizike të gazetarëve në Kosovë.

Zbulimi ka ngjallur reagime të shumta nga figura publike dhe gazetarë duke kërkuar ndriçimin e plotë të rastit.

Profesori i gazetarisë dhe analisti Milazim Krasniqi shprehu shqetësim për ngjarjen duke paralajmëruar për rrezikun e rikthimit të dhunës ndaj kundërshtarëve, siç ka ndodhur më parë me sulme ndaj pronave dhe personave.

Ai kujtoi se në valën e dhunës së viteve të kaluara, vetura e tij familjare ishte shkatërruar me koktej molotovi në parkingun para banesës së tij dhe theksoi se autorët e atij sulmi nuk janë ndëshkuar ende.

“Veprimet e tilla janë të dënueshme ngado që të vijnë, sepse mund të jenë alarm për rrezikun e rikthimit të dhunës,” përfundoi Krasniqi.

Analisti Shenoll Muharremi theksoi rëndësinë që Kajtazi dhe familja e tij të ndihen të sigurt dhe kërkoi që organet e sigurisë të tregojnë se janë funksionale në mbrojtjen e individëve të kërcënuar.

Muharremi gjithashtu theksoi nevojën për një hetim të matur dhe pa paragjykime duke e cilësuar ndjekjen e gazetarëve si një akt të dëmshëm për shtetin dhe demokracinë.

Gazetari Besnik Krasniqi, në anën tjetër, vlerësoi kontributin e Kajtazit në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke theksuar se investigimet e tij kanë ndihmuar në zbardhjen e krimeve të lidhura me pushtetin, kanë parandaluar abuzime financiare dhe kanë ndihmuar në ndalimin e nepotizmit.

Krasniqi kritikoi autoritetet duke e cilësuar rastin si një “çmenduri” që rrezikon lirinë e gazetarisë në Kosovë.

“Paranojat e pushtetarëve duhet shëruar tek psikiatri. Ato s’mund të shërbejnë për persekutim gazetarësh,” u shpreh ai.

Kjo ngjarje ngre sërish pyetje për sigurinë dhe lirinë e gazetarisë në Kosovë, ndërsa komuniteti mediatik dhe publik kërkojnë që të bëhet një hetim i plotë, për të garantuar se gazetarët investigativë nuk do të jenë objekt persekutimi apo ndjekjeje nga forca të lidhura me pushtetin. /Kosova.info/

Go to TOP