Gazetarët e sportit presin që Anglia të jetë kampione

Kampionati i 17-të Evropian i futbollit, i cili është duke u zhvilluar në Gjermani, ka hyrë në fazën përmbyllëse të tij. Tashmë kur janë përcaktuar edhe katër skuadrat gjysmëfinaliste, mund të thuhet se kombëtaret që edhe para fillimit të këtij evropiani, janë cilësuar si favorite, kanë arritur në mesin e 4 skuadrave më të mira, ndonëse për Holandën nuk mund të thuhet se llogaritej të kalonte në mesin e katër skuadrave kombëtare më të mira.

Gazetari Bekim Aliu thotë se ndeshjet nëpër grupe nuk mund të thuhet se ishin në nivelin e pritur, ndonëse disa prej tyre kanë qenë shumë emocionuese.

“Kombëtarja e Shqipërisë në këtë evropian pati paraqitje të mirë, por që me përcaktimin e grupeve, është vërejtur se Shqipëria do ta kishte shumë të vështirë kalimin në rrethin e dytë të garave, pasi përballë kishte kombëtare shumë të forta siç ishin Spanja, Italia dhe Kroacia. Me gjithë eliminimin që në fazën e grupeve, mund të thuhet se Shqipëria, nën drejtimin e brazilianit Sylvinho, ka bërë lojë të mirë, me të cilën ndoshta edhe mund të kërkojë kualifikimin në Botërorin e ardhshëm”, tha Aliu për Kosova.info.

Me paraqitje të mira në këtë evropian sipas tij, duhet dalluar kombëtaret si Gjeorgjia, Austria, e veçanërisht Turqia, e cila ndonëse u eliminua në çerekfinale nga Holanda, pati paraqitje shumë të mirë dhe kjo falë trajnerit të saj, italianit Vincenco Montella, por edhe disa futbollistëve të rinj, e këtu në rend të parë mund të përmendim 19-vjeçarin Arda Guler, që tash mbron ngjyrat e Realit të Madridit.

“Sido që të jetë dy ndeshjet gjysmëfinale ajo ndërmjet Spanjës dhe Francës, përkatësisht Anglisë dhe Holandës priten me kërshëri nga të gjithë. Gjysmëfinalja e parë ajo ndërmjet fqinjëve, Spanjës dhe Francës do të jetë shumë e luftuar, ndërsa për fituesin e saj dhe plasmanin në finale do të vendosin detajet shumë të vogla, e mbase mund të parashihet që fituesi i kësaj ndeshjeje të përcaktohet në vazhdime, ndërkohë që edhe penaltitë mund të jenë një opsion që do të mund të përcaktonte finalistin e parë. Ndeshja tjetër gjysmëfinale, ndërmjet Anglisë dhe Holandës përballë do të ketë një lojë me filozofi krejtësisht ndryshe. Plasmani i Anglisë në gjysmëfinale mund të llogaritet si me fat, pasi “Tre luanët” deri më tash nuk është se kanë treguar lojëra të mira, por që fati ishte në anën e tyre. Holanda, duke pasur në përbërjen e saj futbollistë me përvojë, por edhe disa të rinj, ndoshta mund të konsiderohet pak më favorite për të kaluar në finale”, tha ai.

Besmir Topalli, gazetar sporti në Radio Dukagjin mendon se ky kampionat deri diku ishte i parashikueshëm, me befasi shumë të ëmbla deri me tani.

“Një Shqipëri e cila hyri në histori për tifozë me shumë brenda një ndeshje, golin me të shpejtë, futbollistin me kilometra me së shumti të vrapuar gjatë fazës së grupeve. Kemi parë një Itali aspak e ngjashme me atë të Euro 2020, një Gjermani si favorite por që u eliminua nga një Spanjë e cila me freski në ekip, ka bërë ndeshjet me të bukura deri me tani në Kampionatin Evropian”, tha Topalli për Kosova.info.

Sipas tij, lezeti ka qenë Gjeorgjia e cila në pjesëmarrjen e tyre të parë kaluan në fazën eliminuese, Turqia dhe Austria me lojë të bukur në këtë Kampionat, po ashtu edhe Zvicra në krye me kapitenin Xhaka, kurse ajo që po ka fatin brenda është Anglia e cila ka marrë atë ngjyrën e Portugalisë, Greqisë dhe Italisë, duke mos bërë lojë të bukur por duke fituar ndeshjet me frymën e fundit dhe që mund të jetë fituese edhe këtij Kampionati Evropian, po ashtu të njëjtën gjë po e bën edhe Franca pavarësisht ekipit cilësore që ka.

“Deri këtu mendoj që kemi parë një Evropian të lezetshëm dhe e kënaqshme për sy nga ekipet kombëtare jo-favorite, por dëshpëruese nga lojërat që po i zhvillojnë ekipet favorite hiq këtu vetëm Spanjën”, tha ai. /Kosova.info/

Go to TOP